LAJMI I FUNDIT:

Vendosja e taksës 100%, u shkakton probleme kompanive asfaltuese

Vendosja e taksës 100%, u shkakton probleme kompanive asfaltuese

Për shkak të mungesës së bitomenit, në Ferizaj asfaltohen vetëm 10 metra të rrugës “Ali Hadri”.

Vendosja e taksës 100% ndaj produkteve serbe, ka shkaktuar ngecje të punimeve për kompanitë asfaltuese në Kosovë. Kjo për shkak të mungesës së lëndëve që  importohen nga Serbia.


Njejtë ka ndodhur me rrugën “Ali Hadri” në Ferizaj e cila ka mbetur gjysëm e asfaltuar. Zyrtarë të komunës thonë se kompanitë tashmë më këtë lendë do të furnizohen nga Shqipëria.

Sejdi Rrahmani, banor i Ferizajt, shtëpia e të cilit ka dalje në rrugën “Ali Hadri”, thotë se punimet janë ndërprerë para dhjetë ditësh për shkak se kompanisë i ka munguar një lëndë e asfaltit.

“Kjo rrugë ka filluar të shtrohet para dhjetë ditëve. Arsyet pse nuk e kanë shtruar mendohet se kanë të bëjnë me taksën e vendosur ndaj produkteve serbe. Ka mungesë të produktit bitomen, që i qitet asfaltit”, thotë banori Sejdi Rrahmani.

Këtë e konfirmon edhe banori Muharrem Beqa, i cili pos kësaj thotë se punimet nuk janë bërë sipas rregullave standarde.

“Punimet nuk janë bërë sipas standardeve evropiane. Unë e ndjej vetën të diskriminuar sepse nuk kanë shkuar deri në skaj të oborrit”, thotë banori tjetër Muharrem Beqa.

Në pamundësi për t’u takuar me drejtorin e Infrastrukturës në Ferizaj, Arbër Bytyqi, pasi ndodhej në një takim jashtë qytetit, ai përmes telefonit e konfirmoi atë që rrëfyen banorët.

Sipas tij vendosja e taksës 100 përqind karshi produkteve serbe, ka quar në mungesë të lëndës bitomen, për përpunimin e asfaltit. Ai shtoi se kjo mungesë është çështje ditësh derisa kompanitë të shkëpusin marrëveshjet më Serbinë dhe të fillojnë furnizimin më këtë lëndë, nga  Shqipëria.

Posa të ndodhë kjo, Bytyqi premtoi se bazuar në kushtet klimatike, do të vazhdohet me asfaltimin e rrugës “Ali Hadri”./RTV Dukagjini/Telegrafi/