LAJMI I FUNDIT:

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese – grotesk, s’ka dyshim!

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese – grotesk, s’ka dyshim!

Vendimi i fundit Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me zgjedhjen e kryekuvendarit, jo vetëm që është kontrovers, por edhe paragjykues. Them kontrovers, sepse “pezullimi” para marrjes të vendimit final është qesharak dhe i pakuptimtë. Ajo jo që nuk veproi ashtu me rastet e mëparshme, por të them të drejtën unë nuk kam dëgjuar që diku ndonjë gjykatë e njëjtë, të ketë marrë ndonjëherë vendim të tillë. Bie fjala, në rastin e Behgjet Pacollit, Gjykata Kushtetuese Pacollin e kishte trajtuar si President deri në momentin kur nuk kishte konstatuar se ai ishte zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese,

Nëse kësaj ja shtojmë edhe deklaratën e Enver Hasanit, të dhënë publikisht në një emision televiziv, se “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës nuk ka të drejtë ta interpretojë çështjen e propozuesit të kryeparlamentarit e as atë se çka është Grupi Parlamentar apo se kush është grupi më i madh parlamentar”, kurse sot ne lidhje me "vlerësimin e shkeljes së Kushtetutës gjatë zgjedhjes së Kuvendit dhe për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 17 korrikut 2014 (Nr. 05-V-oo I), për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sa i përket përmbajtjes dhe procedurës", merr vendimin për pezullim.


E, për aq sa pamë në mbledhjen e 17 korrikut, problemi ishte në përmbajtjen procedurale që definon çështjen e propozuesit të kryeparalmentarit (Isa Mustafa), e që sipas deklaratës publike të Hasanit, "Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës nuk ka të drejtë ta interpretojë". Dhe, problematike ishte çështja e Grupit Parlamentar, më të madhit, për të cilën "Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë ta interpretojë". Por, ja që pati të drejtë ta pezullojë “procedurën e zgjedhjes së kryeparalentarit”!? Bjeri në fije nëse mundesh!

Gjersa them se është paragjykues për faktin se nga tashti të gjithë ne, pa marrë parasysh nivelin tonë, mundemi t’ia qëllojmë se cili do të jetë vendimi final në lidhje me zgjedhjen e kryekuvendarit.

Andaj, me ketë vendim grotesk, Gjykata Kushtetuese veçse e betonon dyshimin se ky institucion është nën influencën e udhëheqësve të PDK-ës. Ka kohë që në Kosovë është bindja se “politika i kontrollon të gjitha institucionet” dhe se Enver Hasani është shumë i afërt me PDK-ën, sidomos me udhëheqësit kryesor të kësaj partie. Zaten, këtë mendim e kanë edhe diplomatët ndërkombëtarë, të cilët nuk përtojnë ta shprehin. Disa madje, në këtë kontekst, po i fusin edhe të ardhurat e majme prej 74 mijë euro në vit, që i merr Hasani me argumentin “se ai nuk është i marrë për të bërë diçka që do t’ia rrezikonte ato”.