LAJMI I FUNDIT:

Vendet e OPEC-ut mund të ulin furnizimin me naftë

Vendet e OPEC-ut mund të ulin furnizimin me naftë

Çmimet botërore të naftës u rritën, pasi Arabia Saudite shpalli se vendet e OPEC-ut dhe vende të tjera prodhuese të naftës mund të ulin vëllimin e furnizimit.

Ministri saudit i Naftës, Khalid al-Falih, tha se qëllimi ishte të “ribalancojë” tregun, pasi sanksionet e propozuara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Iranit nuk arritën të ulin prodhimin nga Teherani.


Në një konferencë për çështjet energjetike në Abu Dhabi, Al-Falih, ka theksuar se OPEC e ka furnizuar më shumë se ç’duhet tregun gjatë gjashtë muajve të fundit, duke sjellë uljen e çmimeve, përcjell Telegrafi.

“Ne kemi marrë vendime që kanë pasur një ndikim të rëndë në interesat tona fiskale afatshkurtër dhe afatmesëm. E bëmë këtë vetëm në gjashtë muajt e fundit. Ne e mbifurnizuam tregun, shtuam stoqet dhe e çuam çmimin në tregje nga 100-110 dollarë amerikanë ku mund të ishte fare lehtë në shtator ose tetor, në 70 dollarë amerikanë që është sot, sepse donim të ndihmonim sistemin ekonomik botëror,” vuri në dukje Al-Falih.

Ndërsa, ministri i Naftës i Emirateve të Bashkuara, Suhail al-Mazrouei, tha se OPEC-u do të bëjë “gjithçka që duhet” për të ribalancuar ofertën dhe kërkesën.

Aktualisht një fuçi naftë po tregtohet me 59.08 dollarë. /Telegrafi/