LAJMI I FUNDIT:

Vëllezërit shqiptarë që ushqejnë yjet e futbollit në Zvicër (Foto)

Vëllezërit shqiptarë që ushqejnë yjet e futbollit në Zvicër (Foto)
Diamant Ferizi, Jahmir Hyka, Hekuran Kryeziu dhe Arianit Ferizi

Futbollistët shqiptarë në Zvicër çdo ditë e më shumë po kanë suksese të mëdha.

Por jo vetëm futbollistët po kanë suksese, pasi shumë bashkatdhetarë tanë në shtetin helvetik kanë ndërtuar biznese të suksesshme.

Vëllezërit Arianit dhe Diamant Ferizi nga Deçani me plot sukses po punojnë dhe veprojnë në shtetin e alpeve.

Arianit dhe Diamanti kanë nga një biznes të tyre në qytetin e bukur të Luzernit e ku restaurantet e tyre më së shumti frekuentohen nga yjet e futbollit në Zvicër.

Futbollistët e Luzernit dhe disa foto të tjera futbolli në ‘Nabucco’

Restauranti italian ‘Accademia’ është afër stadiumit të Luzernit dhe është me pronar Arianitin, i cili myshterinjtë më të shpeshtë i ka futbollistët e Luzernit në krye me shqiptarët Hekuran Kryeziun dhe Jahmir Hykën.

“Është nder për mua që dy djem shumë të sjellshëm fillimisht dhe futbollistë të jashtëzakonshëm më nderojnë me ardhjen e tyre këtu. Ata biznesin tim e shohin si shtëpi të tyre pasi gjithmonë para stërvitjeve dhe pas tyre ushqehen këtu me lojtarët tjerë të Luzernit”, thotë Arianiti për Telegrafin.

Vëllezërit Ferizi, Diamanti dhe Arianiti

Ndërkohë për këtë restaurant fjalë të mira kanë edhe reprezentuesi i Kosovës, Hekuran Kryeziu dhe ai i Shqipërisë, Jahmir Hyka.

“Çdo ditë që kemi stërvitje jam vizitor në ‘Accademia’. Këtu e ndjej vetën si në shtëpi pasi Arianit dhe stafi i tij na presin shumë mirë. Përpos meje dhe Jahmirit këtu vijnë të gjithë lojtarët e Luzernit dhe drejtuesit e klubit por edhe yje të futbollit zviceran si Xherdan Shaqiri apo të tjerët”.

“Pasi janë dy vëllezër ne jemi një ditë këtu një ditë tek restauranti i Diamantit ‘Nabucco’. Jemi shumë të kënaqur me ushqimin dhe pritjen”, tha Kryeziu.

Diamant Ferizi, Jahmir Hyka, Hekuran Kryeziu dhe Arianit Ferizi

Ndërkohë lëvdata për dy vëllezërit jep edhe mesfushori i Kombëtares, Jahmir Hyka.

“Unë kam ardhur më vonë se Hekurani në Luzern dhe vërtet u jam mirënjohës Diamantit dhe Arianitit për pritjen që më kanë bërë. Pasi jetoj vetë ushqimin thuajse çdo ditë e ha në këta dy restaurante dhe jam shumë i kënaqur me gjithçka që më ofrojnë”, tha Hyka për Telegrafin.

Ndërkohë në ‘Nabucco’, po të shkoni mund t’i shihni nga afër shumë fanella të yjeve shqiptarë dhe futbollistëve zviceran që i janë bërë si dhuratë Diamantit.

Njëra nga fanellat e para të Xherdan Shaqirit sa ishte pjesë e skuadrës së parë të Baselit

Ai të gjitha ato i ka të varura në muret e restaurantit që duket si një muze i futbollistëve.

“Më pëlqejnë shumë fanellat dhe i ruaj këto duke i vendosur në mure. Këtu e kam fanellën e Xherdanit sa ishte në Basel, ashtu edhe te Bayerni dhe klubet tjera. Gjilanasi më viziton shpesh herë ashtu si Jahmiri, Hekurani dhe shumë futbollistë tjerë shqiptarë që luajnë në Zvicër dhe më gjerë. Vërtet jam i lumtur që kam kësi myshterinj pasi kaloj shumë mirë me ta”, deklaroi Diamant Ferizi për Telegrafin.

Faenalla e Xherdan Shaqirit sa ishte tek gjiganti gjerman Bayern Munich

Në muret e ‘Nabucco’-s, janë fanella të Jahmir Hykës, Hekuran Kryeziut, Xherdan Shaqirit, Burim Kukelit, Pajtim Kasamit, Fidan Alitit dhe futbollistëve të tjerë ku shumë nga to ka edhe të zviceranëve siç është shembull anëtari i Fiorentinës, Remo Freuler i cili si shqiptarët është një frekuentues i rregullit i ‘Nabuccos’ dhe ‘Accademia’-s. /Telegrafi/

Fanella e Remo Freuler, ylli i Atalantas në Serie A
Një koleksion me foto në ‘Nabucco’