Senatorët amerikanë mesazh Serbisë dhe Republikës Serbe para varrimit të Mlladiqit: Ditët e ardhshme do të jenë test

Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Chuck Grassley, së bashku me kongresistin Keith Self, kanë reaguar në prag të varrimit të Ratko Mlladiqit, duke i bërë thirrje Serbisë dhe Republikës Serbe ( Bosnjë e Hercegovinë) që të distancohen nga çdo formë nderimi ndaj tij, shkruan Telegrafi.
Në një deklaratë të përbashkët, ata e kanë cilësuar Mlladiqin si kriminel lufte dhe arkitekt të gjenocidit në Srebrenicë, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.
“Ratko Mlladiq ishte kriminel lufte dhe arkitekt i gjenocidit në Srebrenicë, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë. Forcat e tij ishin gjithashtu përgjegjëse për rrethimin gati katërvjeçar të Sarajevës, një nga më të gjatat në historinë moderne”, thuhet në deklaratë, shkruajnë mediat boshnjake.
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me paralajmërimet se Mlladiq do të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake në Serbi, si dhe për deklaratat e Millorad Dodikut, i cili e ka glorifikuar atë si “luftëtar për lirinë serbe”.
Në prag të varrimit të planifikuar për sot, ata i kanë bërë thirrje Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republikës Serbe që të mos përfshihen në ceremonitë e planifikuara dhe që asnjë deklaratë publike apo veprim zyrtar të mos e nderojë Mlladiqin.
“Ditët e ardhshme do të jenë test nëse Serbia dhe Republika Serbe janë të gatshme të shkëputen nga e kaluara dhe të ecin drejt anëtarësimit në BE dhe integrimeve euroatlantike, apo do të lejojnë që kjo e kaluar të pengojë edhe një herë një të ardhme më të mirë për popullin e tyre”, përfunduan ata./Telegrafi/.




































