LAJMI I FUNDIT:

Vëllai i madh, Edi

Vëllai i madh, Edi

E bëri për pesë pare Evropën, e shau, e … skuqi! Kësaj radhe ishte veshur brenda normës, nuk kishte kombinuar kollare të larme me atlete të kuqe (eurosocialiste), por lere fare se në politikë Edi nuk ka ngjyrë. Nuk e shau Evropën si At Fishta, as si politikanët rusë, serbë, apo si dijetarët nëpër rrjet. I mbajti Evropës një leksion për demokracinë dhe moralin. Pastaj mbajti edhe një leksion për patriotizmin … ballkanik. Foli se si duhet të funksionojë drejtësia, me shumë kompetencë.

Pas kësaj fjale, “mbyllja e Hagës” mbetet çështje ditësh, liberalizimi është punë e kryer, emri Kosovë më nuk do të shkruhet me O-në serbe dhe në fund pason më e rëndësishmja: u kuptua botërisht se Kosova nuk është vet, se me të janë Edi, edhe Aleksandri edhe krejt Ballkani …i hapur!

Pastaj, disa ditë më vonë, në Berlin e tregoi se nuk i kishte vetëm fjalë. Patriotizmi i tij socialist shkëlqeu kur ia hodhi dorën mbi sup Albinit, sikur u thoshte të gjithëve: “Kujdes, unë jam vëllai i madh këtu, kush ma prekë …”. Albini i skuqur, nga shtrëngimi apo nga sikleti i kësaj dashurie publike, e cila sërish mund të ngjallte idetë për bashkim, mu në mes të Berlinit, po sillej pikërisht ashtu si e kishte parashikuar Edi. E si të sillej ndryshe me Vëllain e Madh?

Edi, përndryshe ka shumë “vëllezër” publik. Se është vëlla me Presidentin e Turqisë, për shembull, këtë e dimë! Na e kanë thënë vet pas takimeve protokollare. Sinqeriteti dhe dashuria mes politikanëve është pamje e besueshme për publikun dhe kjo nxitë edhe dashurinë mes popujve, pavarësisht kujtesës historike. Në fund të fundit një bashkëjetesë aq e gjatë historike do të prodhonte sa urrejtje aq edhe dashuri. Pas gjashtë shekuj njerëzit harrojnë se si ka filluar … gjithçka!

Edhe me Presidentin e Serbisë është përmendur njëfarë marrëdhënie vëllazërie publike. Në rregull, sinqeriteti i kësaj vëllazërie është vënë në dyshim nga opozita në Shqipëri dhe Serbi dhe nga (o)pozita në Kosovë, por kur dolën gjërat sheshit u pa që nuk ishte pa gjë, kishte në këtë marrëdhënie edhe dashuri … edhe interes.

Vëlla Aleksandër, vëlla Edi, krejt kjo mbase është vetëm retorikë publike për të thyer idenë e armiqësisë shekullore shqiptaro-serbe, apo konkurrencë për Nobelin, por pasi përsëritet disa herë … pastaj, dukeshin aq të sinqertë.

Deri sot, as njërit as tjetrit, ndoshta për shkak të respektit apo protokollit, nuk i ka ndodhur që Edi vëllai t’u përvidhet nga prapa, apo t’ua mbyllë sytë me pëllëmbë. Ja mbylli sytë kryeministrit të Kosovës. Nuk i tha vëlla, nuk ia kapi faqen, por i hodhi krahun, e shtrëngoi në gjoks dhe … kaq. Me aq e la dhe doli nga skena eurosocialiste me hap të avashtë por … kilometrik.

Kur të mbyllin sytë nga pas dhe dëgjon pyetjen e zakonshme në këto raste, e cila edhe kur nuk shqiptohet, rri pezull dhe paralajmëron një befasi të këndshme, nuk ke se si të mos pyetesh: kush është Edi? Por, e di kush, kush është Edi Rama në politikë? Përse të bëjmë pyetje të pamundura?

Pastaj, pse të jetë e rëndësishme në është vëllai turk, serb apo shqiptar në kohën kur vëllazëria nuk është vetëm çështje etnike! Në fund, të fundit të gjithë njerëzit janë vëllezër, duke u nisur nga ideja e paraardhësit të përbashkët, Adamit apo Ademit që i bie njësoj. As mos e diskutoni, krimet apo historia nuk e mohojnë këtë fakt të vëllazërisë

Edhe pse sipas disa filozofëve historia do të duhej të kishte vdekur tashmë, ajo mbijetoi, më e fortë se kurrë në zonat ku civilizimet dhe ideologjitë takohen, përplasen e përqafohen ashtu si Edi që përqafohet me fqinjët e përplaset në shtëpi të vet. Por, Edi luftën e civilizimeve e sheh nga dritarja e zyrës së tij, në parlament, në rrugë, kudo.

Historia pra, mbijetoi, filozofët nuk e vranë! Mbetet, ndërkohë që demokracia jonë është ende e brishtë, e pa vlerësuar nga ndërkombëtarët. Prapëseprapë, pas fjalimit të Edit, Evropa u skuq. Dikur Isë Boletini kishte lënë nam në Londër duke treguar kufijtë e Shqipërisë, por Edi është paqësor dhe nuk shkoi në Bruksel për të treguar, por për të hapur kufij.

Edi pra, i mbajti Evropës ligjëratë për demokracinë dhe drejtësinë. Këshilli i Evropës mbeti gojëhapur nga gjithë ajo pakënaqësi e Edit me Evropën dhe me parimet evropiane. Edi tha se Evropa nuk është … Evropë. Tha se ajo nuk po sillet si Evropë. Evropa e kuptoi se duhet të mësojë shumë nga Ballkani i Hapur dhe se duhet të sillen vëllazërisht mes vete … sikur ne, në Ballkan.

Përfundimisht, u kuptua se Evropa nuk duhet të quhet e bashkuar, por … e hapur.