Veliu: Qeveria po e diskriminon Podujevën

Kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ka thënë se Qeveria e Kosovës po e diskriminon Komunën e Podujevës.
"Për njërin nga projektet më vitale të komunës tonë, që është zgjerimi i rrugës magjistrale Podujevë - Prishtinë, Ministria e Infrastrukturës ka planifikuar vetëm 2 milionë euro, para të cilat nuk mjaftojnë as për mbulimin e pagesave të punëve që janë kryer në dy llotet e para", ka shkruar Veliu në Facebook.
Postimi i plotë i Veliut:"Të dashur qytetarë, Bazuar në debatet dhe informacionet për Projektligjin e buxhetit të Kosovës për vitin 2019, vërehet qartë diskriminimi i skajshëm që i bëhet Komunës së Podujevës nga qeverisja aktuale e vendit. Për njërin nga projektet më vitale të komunës tonë, që është zgjerimi i rrugës magjistrale Podujevë - Prishtinë, Ministria e Infrastrukturës ka planifikuar vetëm 2 milionë euro, para të cilat nuk mjaftojnë as për mbulimin e pagesave të punëve që janë kryer në dy llotet e para. Realizimi i këtij projekti , sipas afatit të planifikuar, do të duhej të ishte prioritet i Qeverisë, për faktin se kjo rrugë lidh Kosovën me Evropën Perëndimore dhe është arteria kryesore që shfrytëzohet nga bashkatdhetarët tanë, gjatë ardhjes në vendlindje. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës, që para se ta miratojë Ligjin e buxhetit për vitin 2019, Komunës së Podujevës t’i jap trajtimin e merituar dhe këtë projekt si dhe projekte të tjera me interes për qytetarët t’i trajtojnë konform rëndësisë që kanë", ka shkruar Veliu. /Telegrafi/
















































