LAJMI I FUNDIT:

Vdiq patriotizmi i turistëve nga Kosova

Vdiq patriotizmi i turistëve nga Kosova

Blerina Hoxha

Të ndodh rrallë që edhe në ditët e pushimeve të harrosh veset e “profesionit”. Ndërkohë që je në shezlon dhe në mungesë dëshire, dëgjon bisedën e një çadre ngjitur teje dhe kupton që janë disa italianë që “qanin” hallet e krizës ekonomike në Itali. Dy çadra më tej dëgjon dy anglezë (të paktën nga theksi dukeshin të tillë) që flisnin për motin dhe disa batuta “elegante” të llojit të tyre. Një çadër më përpara dëgjon ca kinezë që flasin me zë të lartë. Nga ç’ka thanë vetëm fjalën “Ni hao” arrita të kuptoj dhe diku aty rrotull ca çekë që nuk mora vesh asnjë fjalë nga diskutimi i bërë.


Pas disa minutash reflektimi, kuptoja që mungonte diçka!

Ende nuk kisha dëgjuar “dialektin e ëmbël” prej Kosove të më përshëndeste “Ani de, sh’a po ba’?” Në marketin e lagjes, diku në Durrës nuk ka radhë të gjata njerëzish që blejnë “pandofla”, as tek furra e bukës nuk e dëgjoja më shprehjen “mi ba’ tre panina”. Për më tepër, shitësja e furrës më thotë gjithë pikëllim: “Jam gati të ul qepenin e biznesit se nuk ka turistë që vijnë të blejnë…”

Në 20 vitet e fundit Durrësi ka qenë mbipopulluar nga turistët kosovarë, por jo këtë vit. Fillon njeriu dhe analizon çfarë po ndodh?

Kam besimin se shumë prej jush e kanë harruar zhurmën e taksës së Rrugës së Kombit. Ca e kanë harruar nga pushimet, ca po janë të zënë me reformën në drejtësi, ca të tjerë kanë hallet e veta dhe s’merren dot me hallet e “Shqipërisë”. Mesa duket nuk ishin vetëm kuksianët ata që protestuan për taksën e Rrugës së Kombit që u propozuan të vendosej pesë euro për vetura (10 euro për autobusë), por edhe shqiptarët e Kosovës. Këta të fundit protestuan në një mënyrë më elegante, duke bojkotuar pushimet në Shqipëri. Do thoni ju s’kanë ku të shkojnë! Sigurisht që kanë. Kanë Malin e Zi, i cili jo vetëm që ofron çmime më të mira, por edhe kushte dhe shërbim më të mirë.

Për të vërtetur perceptimin tim nga ngjarjet e cituara më sipër po i referohemi edhe statistikave të INSTAT për turistët e huaj që kanë vizituar vendin muajt e fundit.

Turistë nga Kosova në Shqipëri, Qershor ’17- Qershor ’18. Burimi: INSTAT, 2018

Referuar edhe grafikut më sipër, në muajin qershor 2018 numri i turistëve nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë është 129,691 ndërsa një vit më parë kjo statistikë ka qenë 135,524. Duke shkaktuar kështu një rënie vjetore prej 4.3 për qind ose rreth 5,833 turistë.

Shpresoj shumë që ky dështim i turizmit në Shqipëri këtë sezon të jetë një mësim i mirë për “politikëbërësit”, për të reflektuar që ka diçka që nuk shkon me taksën e Rrugës së Kombit. Dikush nga ju mund të dalë e të më thotë që këtë taksë e ka gjithë bota, por ne nuk jemi “gjithë bota” dhe përpara sesa të vendosim një takes, duhen analizuar pak edhe pasojat në afatmesëm.

Më vjen keq t’ju them, por patriotizmi i turistëve nga Kosova vdiq dhe shkaku i kësaj është taksa e Rrugës së Kombit.