Vdes themeluesi i 'Hot Chocolate' dhe bashkëshkruesi i 'You Sexy Thing', Tony Wilson

Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare Tony Wilson, basisti, kompozitori dhe bashkëthemeluesi i grupit legjendar Hot Chocolate, i njohur për hite të paharrueshme të muzikës soul dhe pop.
Wilson, i cili bashkë me vokalistin Errol Brown shkroi këngë ikonike si You Sexy Thing dhe Emma, ndërroi jetë të premten në shtëpinë e tij në Trinidad.
Lajmin e konfirmoi familja e tij përmes rrjeteve sociale, ku fëmijët e tij ndanë mesazhe prekëse për ndarjen nga jeta të muzikantit, shkruan BBC.

Grupi Hot Chocolate u formua në fund të viteve 1960 dhe shpejt u bë një nga emrat më të suksesshëm të muzikës britanike.
Ata hynë në histori si një nga grupet e para britanike me shumicë artistësh me ngjyrë që arritën sukses të madh edhe në Shtetet e Bashkuara.
Me një stil që ndërthurte soul, rock, reggae dhe disko, grupi pati një seri të pandërprerë hitesh nga viti 1970 deri në mesin e viteve 1980.
Kënga You Sexy Thing u bë një nga sukseset më të mëdha të tyre, duke arritur majat e klasifikimeve muzikore dhe duke u kthyer në një klasik të pavdekshëm, ndërsa “Emma” shënoi një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e tyre ndërkombëtare.
Pas suksesit me grupin, Wilson u largua për të ndjekur një karrierë solo, duke publikuar disa albume gjatë viteve 1970, megjithëse pa arritur të njëjtin sukses si me grupin.
Edhe pse u tërhoq nga publikimi i muzikës së re në fund të viteve 1980, trashëgimia e tij muzikore mbeti e gjallë përmes këngëve që vazhdojnë të dëgjohen edhe sot.
Vdekja e Tony Wilson shënon humbjen e një figure të rëndësishme të muzikës soul dhe pop, ndërsa fansat dhe kolegët e tij vazhdojnë të ndajnë homazhe për artistin që la pas një ndikim të madh në industrinë muzikore. /Telegrafi/






























































