13: 38 – Porosi e jashtëzakonshme për librin e Steve Jobs
Para-porositë për librin e ri me biografinë e Steve Jobs janë rritur me më shumë se 41,800% për qind në faqen e njohur Amazon.com. 


13:34 - Tim Cook: Steve la prapa kompaninë të cilën vetëm ai mund ta ndërtonte

“Të gjithë ata që kanë qenë me aq shumë fat, sa ta njohin Steve Jobs, ose të punojnë me të, e kanë humbur një mik të madh, dhe një mentor inspirues. Steve ka lënë prapa një kompani të cilën vetëm ai ka mundur ta ndërtonte. Fryma e tij gjithnjë do të jetë në shpirtin e Apple” ka thënë Tim Cook, i cili e zëvendësoi Jobs në pozitën e drejtorit të Apple, pas dorëheqjes së tij për shkak të problemeve shëndetësore të cilat e ndiqnin themeluesin e Apple.

11:21 - Google bën homazhe për Steve Jobs

Google e ka tejkaluar rivalitetin e saj me kompaninë Apple, pas vdekjes së themeluesit të kësaj të fundit, vizionarit Steve Jobs. Momentalisht, nëse klikoni në Google.com, nën shiritin e kërkimit të rezultateve do të shihni linkun i cili të drejton tek faqja e Apple, ndërsa në këtë vegzë shkruan - “Steve Jobs, 1955-2011”.

allasb

11:09 - Bashkë-themeluesi i Apple, Steve Wozniak, pyet?

“Ku ta gjejmë edhe një Steve Jobs” pyet Steve Wozniak, njeriu i cili 35 vite më parë, e themeloi kompaninë Apple së bashku me të ndjerin Steve Jobs. Ai përveç se ndërtoi kompani të cilat e ri-definuan mënyrën e bërjes së biznesit, ai arriti edhe ta ndryshojë botën me punën e tij. Në SHBA, thotë Wozniak, të ngjashëm me Jobs, ishin vetëm Thomas Edison dhe Henry Ford.

10:51 – Trashëgimia e Steve Jobs, thesar për njerëzit e biznesit

Steve Jobs do të mbahet mend si një titan i biznesit, natyrisht. Por të gjithë ata që me dekada luftuan për t’i kuptuar kodet dhe veprimet e tij, do ta kenë të vështirë tani t’i deshifrojnë sukseset e tij në biznes. Megjithatë, trashëgimia kryesore e Steve Jobs do të mbetet përgjithmonë eleganca, thjeshtësia në krijimin e produkteve dhe krijimi i përvojave të reja për përdoruesit.

Vlen të thuhet se Steve Jobs nuk besonte shumë në fokus grupe, dhe hulumtime të tregut.

Në vend të kësaj, ai gjithmonë bazohej në intuitën e tij për të krijuar nevoja të reja në treg, për të bërë produkte që tregu nuk i ka kërkuar asnjëherë, mirëpo menjëherë pas lansimit të tyre, bota është çmendur për ta poseduar një pajisje të tillë si iPhone, iPod, iPad, ose iMac. Veprimtaria e Jobs do të mbetet një thesar i çmuar për të gjithë profesionistët e biznesit dhe marketingut. Ka qenë një qasje ndryshe, për ata që mendojnë ndryshe, prandaj edhe slogani i kompanisë ishte “Think Different”

vps

10:43 - Pas vdekjes së Steve Jobs, bien aksionet e Apple

Aksionet e Apple Inc. kanë rënë me 2.5 për qind në bursën elektronike të Gjermanisë, pas lajmit për vdekjen e ish drejtorit ekzekutiv të kompanisë Apple, Steve Jobs.

“Rënia e aksioneve të Apple në mëngjesin e sotëm është shokuese” ka thënë Andreas Lipkoë, tregtar i aksioneve në MWB Fairtrade Wertpapierhandelsbank AG në Frankfurt. “Si vizionar i madh që ishte, ai pati organizuar gjërat shumë mirë në Apple, mirëpo unë mendoj se edhe drejtori aktual i Apple do të menaxhojë mirë” tha ai.

09:51 - Deklarata e plotë e Presidentit amerikan Obama për vdekjen e Steve Jobs:

“Unë dhe Michelle jemi shumë të pikëlluar me lajmin për vdekjen e Steve Jobs. Steve ishte njëri ndër inovatorët më të mëdhenj të Amerikës – i guximshëm për të menduar ndryshe, i fortë mjaftueshëm për të besuar se mund ta ndryshojë botën, dhe i talentuar për ta bërë me të vërtetë” ka thënë Presidenti amerikan Barack Obama.

Duke ndërtuar një nga kompanitë më të suksesshme të planetit nga garazhi i tij, ai ka ilustruar frymën dhe zgjuarsinë amerikane.

Duke i bërë kompjuterët personal, dhe duke e vendosur internetin në xhepat tonë, ai e ka revolucionarizuar informacionin, jo vetëm duke ofruar qasje në të, por duke e bërë atë edhe intuitiv dhe argëtues.

Duke i transformuar talentet e tij në rrëfime, ai ka sjellë gëzim tek miliona fëmijë dhe të rritur të cilët duan të bëhen si ai. Steve gjithnjë ka thënë se çdo ditë duhet jetuar sikur të ishte e fundit. Dhe pasi që e ka jetuar këtë, ai ka arritur të transformojë jetët tona, dhe ka bërë diçka që është shumë e rrallë në historinë e njerëzimit: ai e ka ndryshuar mënyrën se si të gjithë nga ne e shohim botën sot.

Bota ka humbur një vizionar. Dhe nuk ka përkujtim më të mirë për suksesin e tij, sesa fakti që njerëzit e kanë marrë lajmin për vdekjen e tij përmes pajisjes të cilën ai e ka zbuluar vetë.

Unë dhe Michelle i kemi dërguar lutjet dhe ngushëllimet tona tek familja e Steve, gruaja e tij Laurene dhe tek të gjithë të tjerët që e kanë dashur atë.

stev foto

 

Themeluesi dhe ish-drejtori i kompanisë më të vlefshme në SHBA, Apple, Steve Jobs ka vdekur në moshën 56 vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin.

09:29 - Vdes Steve Jobs, pikëllim i madh në tërë botën

Që nga momenti i parë i marrjes së lajmit për vdekjen e Jobs, homazhet dhe lotët për të kanë filluar të rrjedhin sikur shi. Ai ndryshoi industritë, ri-formuloi modelet e biznesit modern, si dhe përparoi teknologjinë dhe artin, së bashku.

Njerëzit e kanë krahasuar atë me Thomas Edison, Walt Disney, Leonardo DaVinci, dhe shumë personazhe tjera të rëndësishme të njerëzimit. Ata thonë se do të shkojë një kohë shumë e gjatë, derisa bota dhe njerëzimi modern të fitojë një njeri tjetër sikur Steve Jobs.

Në New York adhuruesit e Apple kanë filluar homazhet duke mbajtur në dorë iPhone-ët e tyre, ndërsa në sheshet e kryeqytetit kinez njerëzit lotojnë për babanë e iPod, iPhone, iPad dhe kompjuterëve Mac. / Telegrafi /