LAJMI I FUNDIT:

Vdes shkrimtarja për fëmijë, Shpresa Vreto

Vdes shkrimtarja për fëmijë, Shpresa Vreto

Shkrimtarja e për fëmijë dhe skenaristja Shpresa Vreto, u nda nga jeta pasditen e sotme, në moshën 76-vjeçare.

Shpresa Vreto lindi në Tiranë, ku kreu edhe shkollimin fillor e të mesëm. Studimet e larta i mbaroi në degën Matematikë-Fizikë.


Ka punuar si gazetare pranë Radio Tiranës, ku ka drejtuar emisionet për fëmijë.

Ajo u bë e njohur për publikun shqiptar nga disa skenarë për filmat artistikë, si dhe për filmat e animuar, sikundër për botimet e saj për fëmijë.

Në vitin 1978 ka shkruar skenarin e filmit vizatimor “Mirela”, kurse në vitin 1981, së bashku me Xhanfizé Kekon, kanë realizuar skenarin e filmit “Kur xhirohej një film”. Pas pesë vjetësh erdhi e vetme si autore në realizimin e filmit “Fillim i vështirë”.

Me Petrit Rukën ka bashkëpunuar në filmin “Një djalë dhe një vajzë” (1990).

Disa nga librat që ka shkruar Vreto janë: “Ajo këngë ishte për mua” (tregime, 1973), “Syri i kaltër” (përralla, 1974), “Ditë me diell” (tregime, 1976), pjesa teatrale “Shokë shkolle” (1977), romanet “Vit i paharruar” (1983) dhe “Dëbora e madhe” (1988) etj. Pas viteve 1990 ka ideuar revistën për fëmijë “Sirena e vogël” dhe atë për adoleshentë, “Bota ime”.

Shpresa Vreta ka drejtuar seksionin shqiptar të IBBY-it (International Board on Books for Young People) duke u krijuar mundësi krijuesve të rinj të nisnin hapat e parë në botën e shkrimeve. Gjithashtu ka drejtuar një bibliotekë për fëmijë, për 12 vjet rresht. /ata/