Vdes ish kryetari i qendrës së VV në Gjakovë, Tuha Qurdina


Lëvizja Vetëvendosje përmes një telegrami ngushëllimi ka njoftuar se ish- kryetari i qendrës së tyre në Gjakovë, Tuha Qurdina ka ndërruar jetë pas një sulmi në zemër.
VV ka theksuar se është tronditur thellë nga humbja e njërit prej aktivistëve më të dalluar të saj.
Telegrami i plotë i ngushëllimit:Sot morëm lajmin e hidhur që nga një sulm në zemër ka vdekur ish-kryetari i Qendrës sonë në Gjakovë, z. Tuha Qurdina. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e tronditur thellë nga humbja e njërit prej aktivistëve më të dalluar të saj. Përveç që ishte qytetar i mirë e i dalluar i Gjakovës dhe shumë i dashur me njerëzit që e rrethonin, Z. Qurdina ishte aktivist i pandalshëm, që nuk mungoi asnjëherë në aktivitetet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ai ishte kryetar i përgjegjshëm, punëtor dhe unifikues që i kontribuoi jashtëzakonisht shumë Qendrës sonë në Gjakovë. Shprehim ngushëllimet dhe solidaritetin e të gjithë aktivistëve tanë, me familjen Qurdina. Tuhaja do të mbetet i paharruar dhe përherë i pranishëm në Lëvizjen tonë.




































