Instituti GAP prezanton raportin për politikat e gjelbra industriale dhe sfidat e tranzicionit energjetik në Kosovë


Instituti GAP, në kuadër të projektit “Politikat e Gjelbra Industriale (GIP)” të përkrahur nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur – Ballkani Perëndimor (OSF-WB), organizoi tryezën e diskutimit ku prezantoi raportin “Politikat e Gjelbra Industriale: Analizë e Kontekstit të Kosovës.”
Sipas një njoftimi për media thuhet se Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv në Institutin GAP, theksoi rolin udhëheqës të GAP në koordinimin e këtij projekti prej mbi tri vitesh, duke përfshirë edhe organizatat e shoqërisë civile në vendet e tjera të rajonit. Ai vuri në dukje se bashkëpunimi ndër-ballkanik mund të sjellë ndikime dhe përfitime shumë më të mëdha, duke shtuar se raporti shkon thellë në ekonominë vendore dhe paralajmëron kostot e mundshme ekonomike të mosveprimit, veçanërisht në lidhje me taksën e karbonit (CBAM) të BE-së, e cila është në zbatim nga fillimi i këtij viti.
Dritan Nelaj, drejtues i Programit për Tranzicion të Drejtë të Energjisë në Fondacionet për Shoqëri të Hapur – Ballkani Perëndimor, theksoi se tensionet gjeopolitike globale, konkurrenca strategjike mes SHBA-ve dhe Kinës, si dhe zhvillimet teknologjike dhe të inteligjencës artificiale po e bëjnë mjedisin ekonomik gjithnjë e më kompleks. Ai nënvizoi se politikat e gjelbra të Bashkimit Evropian nuk duhet të shihen si kërcënim, por si një mundësi për Kosovën që të përgatitë ekonominë e saj për të ardhmen dhe të veprojë në mënyrë më proaktive.
Rrona Zhuri nga Instituti GAP, prezantoi gjetjet kryesore të raportit, duke theksuar se Kosova vazhdon të përballet me sfida të konsiderueshme në tranzicionin e gjelbër, përfshirë varësinë e lartë nga qymyri, ritmin e ngadaltë të zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme, ndikimin e Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit për Karbon (CBAM) në industrinë vendore dhe nevojën për investime të konsiderueshme në sektorin energjetik. Ajo theksoi se Politikat Industriale të Gjelbra gjithëpërfshirëse mund të ndihmojnë në lidhjen e tranzicionit energjetik me zhvillimin ekonomik, rritjen e konkurrueshmërisë së industrisë vendore, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përafrimin e Kosovës me objektivat klimatike dhe energjetike të Bashkimit Evropian.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, theksoi se investimet në kapacitete të reja të burimeve të ripërtëritshme dhe në efiçiencë të energjisë, mbeten prioritete kyçe të dekarbonizimit dhe tranzicionit të gjelbër të Kosovës. Ajo theksoi se lidhur me investimet aktuale në energji të ripërtëritshme përmes ankandit solar dhe të erës, fillimisht është vendosur baza ligjore dhe rregullative për zhvillimin e tyre, e që do të lehtësojë zhvillimin e projekteve të ardhshme. Znj. Rizvanolli gjithashtu theksoi se investimet në efiçiencë të energjisë do të jenë të vazhdueshme. Ajo potencoi nevojën për financim nga grantet dhe kreditë dhe rëndësinë e fondeve nga Bashkimi Evropian për financimin e projekteve të gjelbra.
Ndërsa, Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë,Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila, e veçoi rëndësinë e politikave industriale të gjelbra duke theksuar përpjekjet e MINTI për zgjerimin e skemave të granteve për biznese për investime të gjelbra, zhvillimin e parkut të parë eko-industrial në vend, nxitjen e ekonomisë qarkore dhe forcimin e bashkëpunimit me institucione arsimore për të marrë kuadro nga fushat përgjegjëse në menaxhim të projekteve. Znj. Kusari-Lila gjithashtu theksoi se MINTI përmes granteve për biznese për avancim teknologjik si dhe sesioneve informuese dhe asistuese për llogaritje të emetimeve të karbonit, do të lehtësojë gatishmërinë e bizneseve për përshtatje me kërkesat e CBAM.
Nga paneli i diskutimit, Drejtori i Asociuar dhe Udhëheqësi për Kosovë nga BERZH, z. Sergiy Maslichenko, theksoi se BERZH është institucioni financiar ndërkombëtar më i madh në Kosovë, me finacim prej rreth 120 milionë euro në vit, prej të cilave rreth 70% janë të dedikuara për projekte të gjelbra, veçanërisht në energji të ripërtëritshme dhe efiçiencë të energjisë. Po ashtu, ai nënvizoi nevojën për përshpejtimin e ankandeve solare dhe me diell, si dhe për rritjen e ritmit të investimeve për të ndjekur zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, u theksua rëndësia e forcimit të koordinimit institucional dhe krijimit të një platforme të centralizuar për menaxhimin e projekteve energjetike.
Kryeshefi i KOSTT, Trim Tërnava, theksoi se operatori i transmisionit ka përgjegjësinë për balancimin në kohë reale të sistemit energjetik, në përputhje me detyrimet e rrjetit evropian. Ai bëri të ditur se KOSTT ka realizuar investime që nga viti 2021, në bashkëpunim me donatorë dhe financues ndërkombëtarë, për modernizimin e rrjetit të transmisionit dhe kyçjen e kapaciteteve të reja. Megjithatë, ai përmendi se rreth 50% e kapaciteteve ekzistuese ndërkufitare të transmetimit dhe shpërndarjes mbeten të pashfrytëzuara. Po ashtu, KOSTT është duke zhvilluar një hartë interaktive për identifikimin e zonave të përshtatshme për investime dhe kyçje në rrjet, për të përmirësuar planifikimin e projekteve energjetike.
Drejtoresha menaxhuese e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, znj. Njomza Hoxha theksoi rëndësinë e investimeve në efiçiencë të energjisë në sektorin publik dhe rezidencial, dhe tregoi se FKEE deri tani ka investuar rreth 40 milionë euro në masa të efiçiencës së energjisë, përmes financimit nga Qeveria e Kosovës, donatorët dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Përmes këtyre investimeve, janë arritur kursime të energjisë deri në 25 GW në vit. Për më shumë, ajo përmendi se Fondi do të vazhdojë të ofrojë skema të subvencionimit për shtëpi individuale dhe të investojë në ndërtesa shumëbanesore rezidenciale, përmes bashkëpunimit me komuna dhe kombinimit të financimit edhe me sektorin bankar.
Në tryezën e diskutimit kontribuan edhe përfaqësues të institucioneve qendrore, organizatave te huaja dhe lokale si dhe akterë të tjerë. /Telegrafi/



































