Vdekja tragjike e Laurent Krasniqit, arrestohet i dyshuari

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Llukar të Prishtinës, ku ka humbur jetën motoçiklisti, Laurent Krasniqi.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:17 dhe ka përfshirë një veturë dhe një motoçikletë.
Krasniqi, i cili ishte duke drejtuar motoçikletën, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Megjithatë, mjeku ka konstatuar se ai ka ndërruar jetë.
“Fsh. Llukar, Prishtinë 02.09.2026 – 20:17. Ka ndodhur një aksident trafiku në mes një veture dhe një motoçiklete. Motoçiklisti ka pësuar lëndime të rënda, është dërguar në emergjencë në QKUK, mjeku ka konstatuar se ai ka humbur jetën”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Ndërkohë, i dyshuari lidhur me rastin është arrestuar dhe, me urdhër të organeve kompetente, është dërguar në mbajtje.
Rasti është duke u hetuar nga autoritetet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. /Telegrafi/








































