LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon rritja e çmimeve, Ministria e Tregtisë me vetëm dy inspektorë

Vazhdon rritja e çmimeve, Ministria e Tregtisë me vetëm dy inspektorë

Ministria e Tregtisë ka bërë të ditur se i ka në dispozicion vetëm dy inspektorë të tregut të cilët e kanë për detyrë t’i inspektojnë parregullsitë eventuale të rritjes së çmimeve të produkteve të konsumit.

Çmimet e produkteve të konsumit nuk po pësojnë rënie, përkundrazi shumë prej tyre janë shtrenjtuar duke e rënduar kështu shportën e konsumatorëve.

Çmimi i vajit fillon nga 2.80 euro, deri në 2.99 euro për litër. Ishte pikërisht rritja e çmimit të vajit, e cila në mars të vitit 2022, kishte shkuar deri në katër euro për litër, e që kishte vënë në funksion Qeverinë e Kosovës me disa aksione, për t’i inspektuar kompanitë të cilat dyshohej se në mënyrë të jashtëligjshme i kishin rritur çmimet.

Prej asaj kohe, nuk ka pasur aksione të përmasave të tilla, edhe pse qytetarët ankohen se çmimet vazhdojnë të rriten.

Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, janë arsyetuar se ekzistojnë vetëm dy inspektorë të tregut, për t’i inspektuar operatorët ekonomikë se a ka ndonjë parregullsi në çmime.

Uliks Spaçi, këshilltar për media në MINT, ka thënë se përkundër se janë vetëm dy inspektorë, po e japin maksimumin e tyre për t’i kryer inspektimet e nevojshme.

Ai ka bërë të ditur se kanë bërë, gjithsej, 281 inspektime, gjatë tre muajve të parë të vitit 2022.

“Sektori i Tregut i cili vepron në kuadër të Inspektoratit të Tregut dhe i cili ka vetëm 2 inspektor të tregut, ka zhvilluar 281 inspektime gjatë periudhës Janar-Maj 2022. Në rastet kur është hasur në parregullsi  janë marrë masa ndëshkuese, prej tyre janë shqiptuar 58 gjoba si dhe për 14 raste është iniciuar procedurë kundërvajtëse në gjykatat kompetente. Të dhënat nuk përfshijnë numrin e inspektimeve të realizuara nga inspektorët e tregut në Komuna”, ka thënë Spaçi.

Çmimi i vajit ushqimor, 10.03.2022/ Foto: kallxo

Anëtari i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku, ka thënë se ka vazhdimisht rritje të çmimeve, dhe se sipas tij, këto rritje nuk janë duke u monitoruar aq sa duhet.

Në mes të tjerash, Kaçaniku është shprehur se edhe pas rritjes së çmimeve të disa produkteve, nuk është rritur cilësia e tyre.

“Ngritja e çmimeve nuk ka të ndalur, ajo që është më e keqja se nuk vëzhgohet nuk monitorohet. Këtu po njihet vetëm rritja nominale e çmimeve, ndërsa ne si qytetarë dhe familjet konsumatorë, ne i njohim edhe trajtat e tjera të rritjes së çmimeve, siç është rritja apo abuzimi me peshë, me vëllim me komponentë të ushqimit me afat të skadencës. Kur të gjitha këto i marrim parasysh atëherë ngritja e çmimeve na del shumëfish më e lartë, dhe nëse e marrim parasysh se cilësia është më e ulët se të njëjtat produkte në Evropë dhe se paga në Evropë është dhjetëfish më e lartë se e jona atëherë ndryshimet e çmimeve janë më se alarmante”, ka thënë Kaçaniku.

Ai e ka akuzuar Ministrinë e Tregtisë, duke thënë se aksionin e marrë në muajin mars në të cilin ishin konfiskuar sasi të vajit, e kanë bërë vetëm për “show medial”, sepse sipas tij, inspektimet më pas nuk kanë vazhduar me intensitetin që do të duhej.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, krahasuar me marsin e vitit 2021 në vitin 2022 çmimet e produkteve të konsumit kanë pësuar rritje 10%./PortaliD