LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon lufta tregtare, Shtetet e Bashkuara i japin një goditje të rëndë Huaweit

Vazhdon lufta tregtare, Shtetet e Bashkuara i japin një goditje të rëndë Huaweit

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump vendosi rregulla të reja që do t’ia ndalojnë Huaweit dhe mbështetësve të tij përdorimin e teknologjisë dhe softuerit amerikan, një përshkallëzim në betejën me gjigantin e telekomit kinez dhe që do të nxisë tensione me Pekinin.

Ndryshimi i rregullave i ndalon kompanive shitjen e çipeve kompanisë Huawei, që janë prodhuar me makineritë prodhuese amerikane, apo janë të bazuara në dizajne që janë produkt i softuerit dhe teknologjisë amerikane.

Kompanitë mund të aplikojnë për licencë për të vazhduar mbështetjen e kompanisë Huawei me produkte, por administrata u shpreh se ato kërkesa ka shumë mundësi të refuzohen.

Kjo lëvizje mund të shkaktojë dëme më të mëdha tek Huawei, i cili vazhdon të mbështetet në makineritë dhe softuerin e prodhuar në Amerikë, për të prodhuar çipet e telefonave të mençur dhe tabletave.

Masa vjen pas disa kufizimesh që i janë bërë kompanisë Huawei vitin e kaluar. Administrata e shtoi gjigantin e telekomit kinez në “listën e entiteteve”, duke ndaluar eksportin e produkteve amerikane kompanisë Huawei dhe 114 anëtarëve, vetëm në qoftë se furnizuesit nxjerrin më parë një licencë. /Telegrafi/