Vazhdon dëmtimi i kontejnerëve nëpër lagjet e Prishtinës

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka ngritur shqetësim për dëmtimin e vazhdueshëm të kontejnerëve të mbeturinave në lagje të ndryshme të kryeqytetit.
Sipas njoftimit, pothuajse në çdo lagje janë evidentuar kontejnerë të thyer apo të dëmtuar, duke vështirësuar menaxhimin e mbeturinave dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike.
“Gati në çdo lagje ka kontejnerë të thyer”, thuhet në reagimin e KRM “Pastrimi”.
Kompania ka bërë thirrje për vetëdijesim dhe kujdes më të madh nga qytetarët, duke kërkuar që të shmangen veprimet që çojnë në dëmtimin e pronës publike, përfshirë djegien e kontejnerëve.
“Të nderuar qytetarë, luteni, keni kujdes, mos i djegni kontejnerët, i blejmë me paratë që ju i paguani faturat”, thuhet më tej në apelin e kësaj ndërmarrjeje.
Nga KRM “Pastrimi” theksohet se ruajtja e kontejnerëve dhe e hapësirave publike është përgjegjësi e përbashkët, duke kërkuar bashkëpunim më të madh nga qytetarët për të mbajtur një mjedis më të pastër dhe funksional. /Telegrafi/





















































