Arsenal dhe Atletico Madrid e mbyllën baras ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, në një përballje me shumë tension, ndërhyrje të VAR-it dhe dy penallti, ku rezultati përfundimtar ishte 1-1.

Arsenali arriti të kalojë i pari në epërsi në fund të pjesës së parë. Në minutën e 43-të, pas një ndërhyrjeje të David Hanckos, gjyqtari Danny Makkelie akordoi penallti.


Viktor Gyokeres realizoi saktë në minutën e 44-të për 0-1, duke mposhtur Jan Oblakun.

Atletico reagoi në pjesën e dytë dhe e rriti presionin, sidomos përmes Lookman dhe Griezmann. Fraksioni i dytë u karakterizua nga vendime të diskutueshme dhe rishikime të VAR-it, me vendasit që kërkonin me ngulm barazimin.

Moment kyç erdhi në minutën e 55-të, kur pas një rishikimi në VAR, u akordua penallti për Atleticon pas një pretendimi për prekje me dorë në zonë.

Julián Álvarez mori përgjegjësinë dhe në minutën e 56-të e dërgoi topin në rrjetë për 1-1, duke rikthyer baraspeshën dhe duke ndezur edhe më shumë atmosferën.

Atletico ishte pranë përmbysjes kur Griezmann goditi traversën në minutën e 63-të, ndërsa Lookman pati dy raste të mira, por pa gjetur kuadratin.

Ndeshja pati edhe një tjetër moment të nxehtë në minutën e 78-të, kur Makkelie fillimisht akordoi penallti për Arsenalin, por pas rishikimit me VAR vendimi u anulua dhe loja vazhdoi pa goditje nga pika e bardhë.

Edhe Arsenali pati mundësi në fund, me Declan Rice që provoi nga distanca në minutën e 89-të, por topi kaloi ngushtë pranë shtyllës.

Me rezultatin 1-1, gjithçka mbetet e hapur: pas një jave në ndeshjen e kthimit do të përcaktohet finalisti i këtij çifti, në një duel ku detajet dhe momentet e vogla pritet të bëjnë diferencën. /Telegrafi/

telegrafi sport app