LAJMI I FUNDIT:

Vapë, “Beerfest” dhe “prostitutat” tona

Vapë, “Beerfest” dhe “prostitutat” tona

Kanë thënë “tuta ka dalë prej Xheneti”, që me e përkthye në standard i bie se “frika ka dalë nga Parajsa”. Ndërkaq, po i pyete qytetarët, rreth thënies së famshme, ata do të japin mendimet e ndara, varësisht prej pozicionimit publik. Ata të cilët këto ditë kishin dalë me u flladitë pak me një birrë vendore dhe që pas pak ishin pjesë e “stampedos” së parë islamo-shqiptare, të paparë në këto anë, do të thonë se tuta është dale prej Xhehenemi dhe se ata që e shkaktojnë shkojnë direkt në Xhehenem – që në përkthim për ata që nuk kuptojnë, do të thotë në Ferr.

Kështu, me fundin e festivalit të birrës, filloi festivali I frikës së pavetëdijshme të myslimanit fatkeq shqiptarë i cili e pi birrën, me frikë se mos ia zënë në fyt. Diqysh, gjithnjë shpreson se kanë me i thonë “hajt se nuk është më e ndaluar”. Është rikthye norma e mëparshme, nga socializmi.

Qysh e dini edhe ju gjeneratat e mesme, myslimanët e mirë të socializmit, kishin një pakt të heshtur me hoxhallarët: “ju mos na prekni në birrë, e ne nuk po prekim në politikë”. Edhe hoxhallarët, shumë prej të cilëve e merrnin edhe një rrogë nën dorë prej shteti, bënin përpjekje me e përshtatë fenë, që me ju ra njerëzve tamam. Përndryshe, ishte kjo veçori e socializmit jugosllav, cili për dallim nga ai shqiptar nuk e kishte ndaluar Zotin, por gjithsesi ia kishte treguar vendin, e kishte ulur në karrige menjëherë prapa perandorit të kuq i cili ishte zot në tokë! Ishte kjo, pra, periudhë mbijetese për fenë dhe ish-Jugosllavia kishte miqësi me gjithë diktatorët e mundshëm arabë, e myslimanë, të cilët i paraqiste shpesh edhe si modele të udhëheqësve. Ishin miq të “shokut” Tito.


Nuk është se Titoja e kishte vetëm me fenë islame. Edhe fenë tjetër, të quajtur socializëm, po bënin përpjekje me e përshtat diqysh, që me ju ra tamam idealistëve qeflinj ballkanikë, të cilët në një mëzo-botë në mes kapitalizmit dhe socializmit të egër stalinist, kishin zgjedhur sevdanë dhe të jetonin në një regjim të “mbathur” as mish as peshk, as socializëm as kapitalizëm, ose thënë ndryshe: me të dyja bashkë. Jetuan me qejfe, e me borxhe, sipas sloganit: “Derisa të zgjasë”! E, kur u kall, u kall zjarr aq i madh sa zjarrfikësit nga krejt bota janë mbledhur në regjion.

Tash jo, nuk po bëjnë kompromis! Tash është në zhvillim e sipër një projekt global i modernizimit të fesë islame që nënkupton kthimin në origjinë, në fondament, pra me e praktikue fenë dhe me jetue pak a shumë ashtu siç jetohej në atë kohë kur lindi ky besim. Pra, me modernizue jo vetëm besimin po edhe mënyrën e jetesës.

Dikush, me qëllime të këqija gjithsesi, e nxori nga rrjeti ku kishte mbetur në harresë edhe një video të një hoxhe të nderuar, doktor i shkencave, të cilin Zoti e shpërbleftë për sinqeritetin e tij, u tha myslimanëve shqiptarë se është haram me shkua në deti e me i “desh” gratë para burrave të tjerë. “Kuku çka na ka gjetë”, po vajtonte hoxha dhe kapte kokën me duar. E myslimanët e mirë, në siklet praj vape, edhe ma siklet prej marres (në standard: turpit), po ëndërronin hoxhallarët e socializmit, të cilët duke e ditur se shumica nuk dinë arabisht, e përkthenin dhe përshtatnin librin e shenjët qysh të donin vet.

Eh, na mbeti nga ajo kohë, ideja se një birrë e ftohtë është zgjidhja më e mirë në ditët verorë me vapën gjithëpërfshirëse çfarë ishte këto ditë. Por, duket se është mbeturinë e socializmit.

Nejse, dikush e përmend si zgjidhje edhe çajin e zi apo sherbetin, por birra ende mbetet më e preferuara ndër myslimanët shqiptarë. Pastaj thonë se qaji i zi me të “zanë” shumë më vështirë vjen në vete.

Për të mos më akuzuar se po përhap të pavërteta, duhet të them se edhe vera, kjo pije e bekuar nga disa dhe e nëmur nga disa të tjerë, përdoret me të madhe ndër ne, por ajo nuk u bë problem i madh asnjëherë, pasi që e pinë edhe politikanë të lartë të cilët brenda një dite dinë të shkojnë në xhami me abdes e pastaj me komunitetin tjetër të ngrenë dolli. Edhe “i madhi” e pi! Por… politika i ka këto.

Përkundër kënaqësisë që e ofron birra, shumëkujt i ka shkaktua edhe probleme shëndetësore. Por, më shumë se problem shëndetësor e cila përcillet me barkun e fryrë dhe me telashe të tjera, birra sot është shndërruar në problem politik ndër shqiptarët. Pi apo nuk pi birrë, kjo është pyetje që e shqetëson jo vetëm çdo shqiptarë, por edhe shumë nga miqtë tonë politikë.

Problemi i parë serioz politik që lidhet drejtpërdrejtë me birrën, por edhe kombin, ishte refuzimi i fanellës së kombëtares për shkak të reklamës “haram” nga ana e të përzgjedhurit të De Biasit. U bë si u bë, dhe ky konflikt ideologjik u tejkalua disi, me pak pasoja, jashtë realitetit virtual shqiptar. Kombi u trondit, por e përballoi këtë termet.

Por, pa e hetuar na e kishin futur frikën në palcë. Një festival i birrës ku promovohej edhe birra vendore shqiptare, e dihet se ne i kemi disa, si “Peja”, “Prishtina”, “Tirana”, “Kuqalashe”, “Korça” (“brune” dhe “bionde”) u shndërrua në “stampedo”, pasi një çun, ashtu po flitet, e paska nxjerrë revolen dhe i paska thënë dikujt afër: “Shiko se si e zbrazi sheshin për dy minuta”. Ndoshta ishte vetëm “test”!

Sido që të jetë, ky popull i cili jeton në republikën “Facebook” e pranoi shpejt retorikën e hoxhës modern. “Po i marr prostitutat e mija, e po shkoj pak në det”, kishte postuar njëri në profilin e tij. Po mendonte për nënën dhe gruan e tij dhe vajzat. Tjetri kishte komentuar se plazhi është haram, por haremet janë hallall! Ec e mos u përziej në debat. Tastiera klith thekshëm dhe fton në “luftë”!

Me këtë rast edhe gazetari ynë i famshëm, i cili i ka specialitet këto tema, u ndie i hendikepuar, i lanun anash, sepse dikush në një koment “ia mbylli” duke i thënë se kjo nuk vlen për të, se nuk është mysliman. U kall, por heshti. Për herë të parë mund të ketë lakmuar të jetë mysliman, e ndoshta do të ketë menduar edhe të konvertohet veç për të qenë pjesë e këtij debati nacional.

Kështu po vazhdojnë negociatat në rrjet, në përpjekje me ia ba diqysh që mishi të piqet e helli të mos digjet, si i thonë fjalës, por hoxhallarët modernë, për dallim prej atyre të socializmit, nuk po lëshojnë pe. Këta si duket paguhen më mirë. Qysh e dini edhe vet, është e ndaluar te ne që ata të paguhen nga shteti i Kosovës, por jo edhe nga shtetet e tjera.

Relaks, o Hashim! Relaks, o Adem! Relaks, o Berat! Qe, edhe pak e shkoi vera dhe vishen të gjithë, me gra e me burra, me rrobat e tyre të shtrenjta ose të lira. Zoti na krijoi lakuriqë, të barabartë, por për me u veshë, vishemi secili sipas xhepit.

E dini cili është argumenti më i keqpërdorur? Të gjithë jemi mëkatarë! Pas kësaj fjalie fshihet politika jonë, e cila po krijon kriza të paqena dhe zhurmë për të mos u dëgjuar me vëmendje e vërteta “lakuriq”.

Në trend

Më shumë
Koci jep detajet e fundit për rastin e Faton Hajrizit: Çdo informacion po e marr me rezervë të madhe

Koci jep detajet e fundit për rastin e Faton Hajrizit: Çdo informacion po e marr me rezervë të madhe

Lajme
Ish-fituesi i Kupës së Botës, Philipp Lahm, jep shtëpi me qira me Airbnb për vetëm 21 euro në natë - ai premton se do të mirëpresë personalisht mysafirët

Ish-fituesi i Kupës së Botës, Philipp Lahm, jep shtëpi me qira me Airbnb për vetëm 21 euro në natë - ai premton se do të mirëpresë personalisht mysafirët

Bundesliga

"Unë jam gjallë, nuk është ende vonë", gjermani i dënuar me vdekje në Bjellorusi kërkon ndihmë përmes televizionit shtetëror

Botë
E nisi me humbje të thellë me Juventusin, këto janë fjalët e Thiago Mottas

E nisi me humbje të thellë me Juventusin, këto janë fjalët e Thiago Mottas

Serie A
“Nuk mu lejua ta shoh kufomën”, avokati Koci tregon çfarë po kërkon policia serbe që ta dorëzojë trupin e Faton Hajrizit

“Nuk mu lejua ta shoh kufomën”, avokati Koci tregon çfarë po kërkon policia serbe që ta dorëzojë trupin e Faton Hajrizit

Lajme
Sondazhi i New York Times - kush po udhëheq, Harris apo Trump

Sondazhi i New York Times - kush po udhëheq, Harris apo Trump

Amerika
Kalo në kategori