LAJMI I FUNDIT:

Valixhet me para dhe lojërat me trurin: Historia e manipulimit të zgjedhjeve!

Valixhet me para dhe lojërat me trurin: Historia e manipulimit të zgjedhjeve!

Projektorët dhe kamerat ndizen kur liderët e Gjermanisë dhe Rusisë, Angela Merkel dhe Vladimir Putin dalin në skenë. “Ne nuk ndërhyjmë kurrë në jetën apo proceset politike të vendeve të tjera”, tha Putin gjatë një konference të përbashkët shtypi që u zhvillua në fillim të majit të këtij viti. Ishte një moment i sikletshëm për Merkelin. Shefat e saj të sigurisë kishin akuzuar Rusinë për një sulm kibernetik ndaj Parlamentit gjerman dhe pohonin se shërbimet e inteligjencës të atij vendi po përpiqeshin të ndikonin në zgjedhjet federale gjermane që do të mbaheshin në shtator. Nga ana tjetër, akuzat për ndërhyrjen ruse në rezultatin e zgjedhjeve amerikane që i dhanë fitoren Donald Trump, shënuan muajt e parë të presidencës së tij. Programi “The Inquiry” i BBC u zhyt në këtë botë të errët për të zbuluar se si mund të “rregullohen” rezultatet e zgjedhjeve në vendet e huaja. Ja katër mënyrat:

Akuzat për ndërhyrjen ruse në Shtetet e Bashkuara e shndërruan Don Levin akademikun në modë. Levin, nga Instituti i Politikave dhe Strategjive të Universitetit Carnegie Mellon në Shtetet e Bashkuara, heton ndërhyrjen e fuqive të huaja në zgjedhje. Ai shprehet se gjithçka filloi kur francezët, në 1796, u përpoqën t’i nxitnin amerikanët të votonin kundër John Adamsit.


“Francezët druheshin se John Adams do bëhej president dhe do ndiqte politika të jashtme anti-franceze në Shtetet e Bashkuara”, thotë ai. “Kështu, ambasadori botoi një letër duke thënë se të dy vendet do të bëheshin armiq nëse Adams fitonte”.

Megjithëse në këtë rast nuk funksionoi, sipas Levinit dhe që pas asaj kohe qeveritë e huaja i kanë rafinuar metodat e manipulimit.

“Kur vjen puna për të manipuluar drejtpërdrejtë sjelljen e elektoratit, fuqitë e huaja mund të ndërhyjnë dhe në hulumtimet e mia kam gjetur se që nga viti 1946 deri në vitin 2000, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik apo Rusia kanë ndërhyrë në këtë mënyrë në një nga çdo nëntë zgjedhje”, thotë eksperti. “Nëse marrim parasysh gjëra të tilla si rritja ekonomike para zgjedhjeve në vend, sa kandidatë prezantohen dhe faktorë të tjerë, ndërhyrjet e këtij lloji kanë një efekt të rëndësishëm mbi atë se kush zgjidhet”.

Në Shtetet e Bashkuara, Levin ka punuar me dokumente të deklasifikuara të CIA-s, raporte të spiunëve dhe hetimet e Kongresit. Në palën sovjetike, ai përmend një ish-agjent të KGB-së me emrin Vasily Mitrokhin, i cili ka punuar në arkivat e KGB-së dhe për 12 vjet i është përkushtuar kryesisht përmbledhjeve të shkurtra të çdo dokumenti që ka gjetur.

Kur përfundoi Lufta e Ftohtë, ai u arratis në Perëndim dhe më pas i botoi të gjitha në dy vëllime për aktivitetet e KGB-së së kohës. Të gjitha këto shënime tregojnë se amerikanët dhe rusët ishin shumë të zënë në ndërhyrje në zgjedhje.

“Italia, Japonia, Gjermania Perëndimore, Brazili, Kosta Rika… Në thelb, manipulime kanë ndodhur në të gjithë botën, përveç në Oqeani”, thotë ai. “Shumë nga këto ndërhyrje ishin sekrete, por jo të gjitha”.

Ndonjëherë ishte e dobishme që publiku i huaj të tërhiqej në një formë të hapur, si për shembull shtimi i ndihmës së huaj pikërisht para zgjedhjeve apo nënshkrimi i një marrëveshjeje të favorshme që ai vend kishte pritur për një kohë të gjatë. Një shembull është rasti i Italisë, një fushëbetejë e rëndësishme gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku pësoi shkatërrime të madha.

“Mendohej se Partia Komuniste Italiane kishte një shans të mirë për të fituar zgjedhjet“, shpjegon Levin në lidhje me zgjedhjet e mbajtura në vitin 1948.

Për të mos lënë asgjë në mëshirën e fatit, udhëheqësit komunistë italianë udhëtuan në kryeqytetin sovjetik, Moskë, për të kërkuar ndihmë. Dhe Moska ofroi para.

“Tekstualisht, u pyetën nëse kishin sjellë ndonjë çantë të madhe dhe kur thanë jo (sovjetikët) ata marrin një dhe filluan të fusnin paratë. Dhanë rreth gjysmë milioni dollarë mesa dimë, dhe më pas ai lider u kthye në shtëpi me çantën e madhe me para për të ndihmuar partinë e tij në fushatë”, thotë Levin

Por, këto zgjedhje ishin shumë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Ishte fillimi i Luftës së Ftohtë dhe ata nuk mund të lejonin fitoren e sovjetikëve. Levin thotë se Shtetet e Bashkuara i dërguan fshehurazi kandidatit të tyre të preferuar një shumë njëzet herë më të madhe se ajo që kishin ofruar rusët.

Nuk bëhet fjalë vetëm për para të fshehta. Shtetet e Bashkuara kundërshtoi në mënyrë aktive komunistët italianë. Ambasadori i tyre në Itali kërcënonte votuesit, shumë prej të cilëve ishin të uritur dhe vuanin nga kequshqyerja.

“Sa herë që një anije amerikane me ndihma vinte në Itali, me ushqime dhe mallra të tjera, organizohej një event i vogël shtypu ku thuhej: Shihni sa po ju ndihmojmë”, shprehet Levin. “Dhe, në të njëjtën kohë, kur sekretari amerikan i Shtetit kërcënon duke thënë se nëse italianët votojnë për komunistët, ndihma që ata marrin do të reduktohet shumë, lajmi merr dhenë duke u shkruar në faqet e para të gazetave në Itali”.

Votuesit e kuptuan mesazhin dhe komunistët humbën. Shtetet e Bashkuara mbajtën një aleat kyç dhemësuan një mësim mbi “rregullimin” e zgjedhjeve.

Historia italiane bëri që autoritetet amerikane të besonin se mund të manipulonin zgjedhjet kur ishte e nevojshme në mbarë botën dhe u pa nga CIA si një histori suksesi kur do t’i pyesnin se çfarë mund të bëhej për të penguar që të fitonte “ana e gabuar”. Sipas Levinit, Shtetet e Bashkuara u përpoqën të ndikonin në më shumë se 80 palë zgjedhje deri në vitin 2000. Rusët kanë tentuar të paktën 36 herë. Levin thotë se ata kurrë nuk kanë konkurruar me njëri-tjetrin dhe, me më shumë suksese se dështime, ndërhyrjet e huaja ndihmuan në nxitjen e rezultateve në favor të fuqive të mëdha.

Por, nëse e gjithë kjo duket shumë e lehtë, thjesht falë një çante me para apo një fjalimi, tani do të shpjegojmë se fytyra tjetër e manipulimit të zgjedhjeve mund të jetë paksa më e komplikuar.

“Ishte çmenduri, pak e rrezikshme, por fatmirësisht ishim mjaftueshëm të çmendur për të mos menduar për këtë”, kujton Dejan Ranjiq, i cili ishte pjesë e lëvizjes opozitare në Republikën Federale të Jugosllavisë në vitin 2000.

Në prag të zgjedhjeve të atij viti, ai dhe miqtë e tij morën rreziqe të mëdha për të nxjerrë qeverinë… me ndihmën e të huajve. Ai kujton se kur miqtë e tij udhëtonin për t’u takuar me donatorë të huaj, disa dukeshin si James Bondi që i ikte policisë përmes kufirit apo përmes stacioneve të trenave. Ndërsa, arrestimi i tij ishte më pak dramatik: u kap kur largohej nga zyra. Dhe, gjatë orëve që zgjatën marrjet në pyetje, një pyetje përsëritej pambarimisht: Kush po i lëviz fijet?

Nuk ishin zgjedhje normale: frika përballë ndikimit të huaj ishte shumë i madh. Jugosllavia po zhdukej. Pas pothuajse një dekade luftë civile, ajo ishte fragmentuar në gjashtë vende të ndryshme. Presidenti i asaj që po mbetej në këmbë ishte Slobodan Millosheviq. Dhe, në Perëndim, Millosheviqi ishte njeriu i keq. Vendet perëndimore e donin jashtë qeverisë dhe para një gjykate për t’u përballur me akuzat e krimeve të luftës që po peshonin mbi të, përfshirë vrasjen e civilëve. Millosheviqi e dinte se humbja e zgjedhjeve, dhe me to dhe kontrolli i aparatit të sigurisë, do të thoshte me shumë gjasa të kalonte pjesën tjetër të jetës në një burg të huaj. Kjo është arsyeja pse Dejan Ranjiq dhe shumë nga shokët e tij përfunduan në burg. Presidenti i atëhershëm e pa ndërhyrjen e huaj në çdo gjë që bëri opozita.

Por e vërteta ishte më e komplikuar. Millosheviqi kishte vendosur qindra-mijëra posterë në rrugë. Në çdo mur shfaqej fytyra e tij që u kërkonte njerëzve që ta votonin. Muret ishin të mbrojtura nga policia dhe opozita nuk mund të vendoste posterët e saj.

“Ke marrë fund”, ishte slogani i opozitës. Por, nuk mund ta bënin të dukshme, derisa dikujt i shkoi ndërmend se mund të përdornin posterët e Milosheviqit si propagandën e tyre me një ndryshim të thjeshtë: të vendosnin një vulë me parullën e tyre në fytyrën e Millosheviqit në secilin prej tyre.

“Në atë moment, çdo poster i Millosheviqit u bë posteri ynë”, kujton Ranjiq.

Ai e dizajnoi atë afishe. I duheshin tre milionë, pothuajse një për çdo tre persona që jetonin në vend.

Kush e financoi këtë investim të shtrenjtë?

“Hmm”, përgjigjet Ranjiq, “nuk do të pretendojmë sikur nuk e kuptojmë se nga erdhën paratë. Natyrisht nga jashtë, nga amerikanët dhe disa nga evropianët”.

Në këtë rast, fuqitë e huaja po punonin në një mënyrë më delikate sesa Shtetet e Bashkuara në Itali në vitin 1948. NATO kishte bombarduar Jugosllavinë vetëm një vit para zgjedhjeve dhe, padyshim, një lidhje me Perëndimin nuk do të ishte vota në favor të tyre. Por, opozita i mori paratë në mënyrë të fshehtë dhe punoi me sistemin e saj të shpërndarjes. Shpejt ata filluan të dilnin hapur dhe të shpërndanin fletushkat kur njerëzit ua kërkonin. Investimi i huaj në afishe po jepte rezultate. Por përveç kësaj, kishte akoma dhe më shumë. Shtetet e Bashkuara dërguan njerëz të stërvitnin partitë e opozitës. Ishin 17.

“Ishte një situatë e tmerrshme, sepse asnjëri prej tyre nuk kishte fuqi të mjaftueshme për të fituar mbi Sllobodan Millosheviqin”, kujton Dejan. Amerikanët i shtynë që të bashkoheshin dhe mund të kishin më shumë forcë. Në fund, u shfaq një kandidat i cili arriti të mundë Millosheviçin: Vojisllav Koshtunica. Millosheviçi nuk pranoi e rezultatin, por pas disa protestave dhe një sulmi në Parlament në Beograd, ai u largua përfundimisht. Dejan Ranjiq këmbëngul se ishin njerëzit që mundën Millosheviqin, por pranon se ndërhyrja e huaj ndihmoi.

“Mendoj se ishte vendimtare”, thotë ai.

Këto zgjedhje treguan se rregullimi i zgjedhjeve në një vend të huaj është diçka e vështirë, se duhet të ndodhin gjëra në terren dhe të jesh i gatshëm të bindësh opozitën për të siguruar fitoren. Por, sikur të kishte një mënyrë për të anashkaluar politikanët dhe aktivistët lokalë dhe të arrihej direkt te votuesi?

Sam Woolley, nga Projekti i Propagandës Kompjuterike të Universitetit të Oksfordit, në Mbretërinë e Bashkuar, studion se si rrjetet sociale përdoren për të ndikuar në votim.

“Është shumë e rëndësishme të jesh në gjendje të përdorësh një shërbim anonim si Twitter për të dërguar shumë mesazhe njerëzve që të ndryshojnë formën e tyre të të menduarit. Shumë njerëz e quajnë këtë luftë informative”, thotë ai.

Por, për të kuptuar se si bëhet kjo luftë, së pari duhet të dimë se kush janë trupat. Së pari, botat.

“Një bot është një program automatik softuerik që përdoret për të bërë çdo gjë që një person mund të bëjë në internet”, thotë Woolley. “Ai automatizon detyrat njerëzore. Më e lehta është të ridërgojnë mesazhet e përdoruesve të tjerë, ose mund të programohen për t’i dhënë ‘like’ në mënyrë automatike mesazheve të përdoruesve të tjerë, ose për të cituar këto mesazhe në mënyrë që dikush të duket më shumë popullor, apo të rrisë ‘reachÇ-in nga 500 në 1000.” Por, një person mund të përdorë qindra bot, secili promovon të njëjtin mesazh. Për shembull, duke sulmuar një kandidat. Numri i madh i mesazheve rezultues rrit mundësinë që ai të shfaqet në ‘feed’-in tuaj, qoftë drejtpërdrejt ose kur dikush e ndan. Kur përdorim një bot për të dhënë iluzionin e legjitimitetit, një kandidati ose një ideje, ne e quajmë atë ‘prodhim të konsensusit’”.

Botat më të sofistikuar përdorin mësimin e automatizuar për të folur. Kërkojnë në internet dhe prej aty nxjerrin informacion. Mund t’i bëjnë gjërat vetë. Këto gjëra mund të na bëjnë të mendojmë se po bëjmë një “bisedë” me dikë në internet, ndërkohë që nuk është kështu. Botat nuk janë të përsosur, por janë në përmirësim e sipër. Dhe, njerëzit që ndodhen pas tyre, janë profesionistë të vërtetë. Puna e tyre është e komplikuar dhe e shtrenjtë.

Qeveritë kanë burime për të kryer fushata të sofistikuara manipulimi. Dhe, nëse një qeveri nuk e ka atë përvojë, mund ta nënkontraktojë. Woolley kujton historinë e Andrés Sepúlvedas, hakerin kolumbian i cili thotë se manipuloi shumë zgjedhje në vende të ndryshme të Amerikës Latine.

“Sepulveda përdori gjëra të tilla si fushatat e shpifjes online për të ndihmuar kandidatin e tij që të fitonte”, thotë Woolley.

Sepulveda aktualisht ndodhet në burg në Kolumbi, i akuzuar për spiunazh kundër anëtarëve të tryezës së bisedimeve të paqes me FARC në Havanë, Kubë.

Asgjë nuk i pengon palët e ndryshme në zgjedhje të përdorin këto teknika. Por, Woolley beson se normalisht nuk ekziston një ekuilibër mes të gjithëve, kështu që vota përfundon duke mos qenë e drejtë. Shembujt e diskutuar deri më tani nënkuptojnë një përpjekje për të ndikuar në mënyrën se si njerëzit votojnë ose minojnë procesin në tërësi. Por, çfarë ndodh nëse ata e kapërcejnë zgjedhësin?

Barbara Simons, një eksperte kompjuteri, e cila ka punuar në departamentin e Kërkimit të IBM, është tani kryetare e “Verified Voting”, një OJQ që bën fushatë kundër votimit elektronik.

“E kuptojmë si punojnë kompjuterët. Dhe, e dimë se mund të kenë probleme të softuereve që mund të ndryshojnë rezultatin. Por, gjithashtu mund të ketë viruse që mund të ndikojnë në zgjedhjet kombëtare”, thotë ajo.

Pra, nëse dikush përpiqet të rregullojë zgjedhjet ose të hakerojë një kompjuter, mund të përcaktojë rezultatin.

“Unë votoj për kandidatin A dhe nuk regjistrohet asgjë. Ky është një problem. Nëse unë votoj për kandidatin A dhe kompjuteri regjistron se votimi im është për kandidatin B, kjo është akoma më shumë serioze, dyfish më e rëndë, apo jo?”, thotë ajo.

Simons punon në Shtetet e Bashkuara, por ky është një problem në të gjithë botën. Smartmatic, kompania që numëroi votat në zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese të Venezuelës të mbajtura më 30 korrik, denoncoi se të dhënat e pjesëmarrjes u manipuluan.

Frika e hakerimit bënë që Franca të braktiste së fundmi planet për lejimin e votimit elektronik. Dhe, Holanda gjithashtu kaloi nga numërimi elektronik në atë manual për të njëjtën arsye. Por, kompanitë që bëjnë kompjuterët e votimit elektronikë këmbëngulin se janë të sigurta.

“Nuk kemi dëshmi të hakerimit nga një qeveri e huaj, por kjo vetëm sepse është shumë e vështirë të përcaktohet nëse ka pasur apo jo manipulim”, shpjegon Simons. “Nëse nuk ka dokumente, nuk mund të bësh një rinumërim, sepse nuk ka asgjë për të rinumëruar. Për të marrë në analizë një nga kompjuterët duhet bërë një analizë mjekoligjore që përfshin marrjen e kompjuterit fizikisht dhe të kalosh muaj të tërë duke e studiuar. Dhe, edhe sikur kjo të ndodh, ka mundësi që ti të mos e kuptosh se çfarë ka ndodhur. Për shembull mund të shkruash softuere që fshihen vetë”.

Këto mangësi nuk janë hipotetike. Muajin e kaluar, hakerët nga e gjithë bota u takuan në Las Vegas për të parë se çfarë mund të bënin me disa makineri votimi. Normalisht, kjo është e paligjshme, por Kongresi amerikan bëri një përjashtim për qëllime kërkimore. Barbara Simons ishte atje. Përkundër parashikimeve të ekspertes, u deshën rreth dy minuta për të hakeruar kompjuterin. Simons thotë se ata gjetën mangësi në të gjitha kompjuterët. Madje bënë që një prej kompjuterëve të niste një këngë. /Ky artikull bazohet në një seri të programit “The Inquiry” të BBC/Përgatiti: DITA/

Në trend Botë

Më shumë
Dëshmitarja që pa vrasjen e gazetares britanike në vitin 1999, pretendon se pas këtij akti qëndron serbi i njohur si Legia

Dëshmitarja që pa vrasjen e gazetares britanike në vitin 1999, pretendon se pas këtij akti qëndron serbi i njohur si Legia

Evropa
Ukrainasit mësyjnë istikamet e rusëve me tank, i hedhin në erë edhe me dron kamikaz – pamje nga beteja për Serbryanskyn

Ukrainasit mësyjnë istikamet e rusëve me tank, i hedhin në erë edhe me dron kamikaz – pamje nga beteja për Serbryanskyn

Evropa
Arrestohet zëvendësministri rus i Mbrojtjes, dyshohet për mitmarrje

Arrestohet zëvendësministri rus i Mbrojtjes, dyshohet për mitmarrje

Evropa
Momenti kur raketa izraelite godet me precizitet veturën brenda të cilës ishte komandanti i Hezbollahut

Momenti kur raketa izraelite godet me precizitet veturën brenda të cilës ishte komandanti i Hezbollahut

Azia
Rusët bombardojnë Rusinë, gabimisht hodhën bombën në territorin e tyre – raketa gjigante ra rreth 100 kilometra larg Ukrainës

Rusët bombardojnë Rusinë, gabimisht hodhën bombën në territorin e tyre – raketa gjigante ra rreth 100 kilometra larg Ukrainës

Evropa
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
Kalo në kategori