LAJMI I FUNDIT:

USAID: Mundësi për larje parash në raportet e VMRO-DPMNE-së! (Video)

Ekipi i USAID-it për antikorrupsion bën me dije se ekzistojnë dyshime të bazuara se partia qeverisëse VMRO-DPMNE ka bërë larje të parave gjatë kohës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjeve presidenciale në periudhën e viteve 2013/2014. Të gjitha raportet, siç tha Ana Janeva Deleva nga Transparensi Maqedoni, tregojnë për bilanc negativ të xhirollogarive partiake.

“Çështja më problematike është ajo se partia me sa duket e ka ditur se sa para do të fitojë në zgjedhje dhe përkitazi me këtë, i ka llogaritur edhe humbjet. Këto humbje ajo i ka mbyllur me paratë që i ka pranuar nga buxheti shtetëror. Dhe kjo paraqet problem të madh”, thotë Ana Janeva Daleva, njofton TV21.


Deleva pyet se partia në pushtet, ka mundur të përllogarit se sa para do të marrë nga buxheti, gjegjësisht sa votues do të ketë. Ekipi i USAID-it, i Transparensi Maqedoni dhe Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar kanë vërejtje edhe ndaj marrëveshjeve për lobim, shuma këto, që VMRO-DPMNE u ka paguar firmave të caktuara për lobim në SHBA.

“Në këto marrëveshje, deri tani VMRO-DPMNE-ja ka paguar 1,7 milionë dollarë. Problemi të cilin këtu e hasim është shuma që vërtet është e madhe për kushtet tona. Këto janë mjete të mëdha financiare me të cilat disponon partia, por në të njëjtën kohë , partia nuk është në gjendje të tregojë prej nga vijnë këto mjete”, shtoi ajo.

Pjesa më e madhe e partive politike në Maqedoni janë jotransparente sa i takon shpenzimeve të parave, thonë nga USAID. Gjithashtu, ata potencojnë se mungesa e mbrojtjes, u lë hapësirë punëdhënësve që t’i kundërvihen kallëzimit, ndërsa denoncuesit potencialë dekurajohen që të paraqesin raste të korrupsionit./Telegrafi/