Ura e Gjakut, e cila lidh lagjen “Vaganicë” me Stacionin e Autobusëve në Mitrovicë, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë infrastrukturore, duke paraqitur rrezik për qytetarët që e përdorin çdo ditë.

Banorët e kësaj zone kanë shprehur shqetësimin e tyre për KosovaPress, duke thënë se ura është lënë pas dore prej vitesh dhe se paraqet rrezik të veçantë për fëmijët.


Banori Naser Qubreli thotë se gjendja është alarmante.

“Çka ke me fol, tmerr është. A po e sheh ku është, ja shikoje veç me shti këmbën bjen. Jo, kurrkush s’ka qenë, kjo është gati edhe para luftës. Për ne të mëdhenjtë nuk është asgjë, për rini është problem, për të mitur. Për ne s’o problem, ne ecim andej, që shikoje qysh është, qysh lëviz kjo”, tha ai.

Edhe Avdyl Mehmeti shprehet se gjendja është e rrezikshme për kalimtarët.

“Po e sheh edhe vetë, është katastrofë, me i ra dikujt e mbyt dikon. Nuk e di, ka qenë edhe një televizion një ditë e ka qit, qysh tek si nuk e di. Po rrezik është se ndonjë fëmijë mundet me hi aty e me ra poshtë, po është goxha moti”, tha Mehmeti.

Një banor tjetër, që nuk dëshiroi të identifikohet, thotë se ura ka nevojë për renovim të plotë.

“Kjo e ka kalua atë të vetën, vetëm për renovim të plotë. Është e rrezikshme, këqyre qysh është, mundet me ra diçka. Vallahin nuk e di që sa jam unë kësajde, kështu e di. Jo, jo, kurrkush s’po i intereson kurrkujt”, tha ai.

Një tjetër qytetar shton se problemi është i zgjatur dhe i paadresuar.

“A po e shihni edhe ju, s’kem çka flasim. S’ma merr mendja që ka qenë dikush. Për ne dhe për të gjithë. S’kem çka bojmë kurgjo, nuk mundum me ndiku kurgjo”, tha ai.

KosovaPress ka kontaktuar edhe Komunën e Mitrovicës për këtë çështje, për të parë nëse do të ketë ndërhyrje për sanimin e urës.

Drejtori i Infrastrukturës, Naser Muja, ka deklaruar se kjo urë nuk është nën kompetencë të komunës.

“Ju njoftojmë se Komuna e Mitrovicës nuk është kompetente për trajtimin e urave në këtë segment, pasi përgjegjësia bie nën Ministrinë e Infrastrukturës. Megjithatë, këtë çështje e kemi adresuar edhe më herët tek institucionet përkatëse dhe do ta riadresojmë sërish, me qëllim që të ndërmerren veprime sa më të shpejta”, thuhet në përgjigje me shkrim.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për sanimin e urës, për të shmangur rrezikun që, sipas tyre, po rritet çdo ditë.