Disa zona të Mitrovicës do mbesin pa ujë shkaku i punimeve në rrjet

KRU “Mitrovica” ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtjes do të realizojnë punime të planifikuara në disa lokacione në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit.
Sipas njoftimit, punime në rrjetin e ujësjellësit do të kryhen në rrugët “Qazim Cimili”, “Dëshmore e Kombit” në Lushtë, “7 Minatori”, “Hoxhë Hasan Tahsini”, si dhe në fshatrat Vinarc i Epërm dhe Vërnicë.
Ndërkaq, punime në rrjetin e kanalizimit do të zhvillohen në rrugën “Nexhip Dragaj” dhe në fshatin Frashër i Madh.
Kompania ka bërë të ditur se gjatë realizimit të punimeve në rrjetin e ujësjellësit, furnizimi me ujë të pijshëm në zonat e përfshira mund të ndërpritet përkohësisht.
Po ashtu, pas rikthimit të furnizimit, sipas KRU “Mitrovica”, si pasojë e ndërhyrjeve teknike mund të paraqitet turbullirë e përkohshme e ujit.
“Në rast se uji është i turbullt, ju lutemi që ta lini rubinetin të rrjedhë për disa minuta, derisa uji të kthjellohet plotësisht”, thuhet në njoftim.
KRU “Mitrovica” ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptim dhe bashkëpunim. /Telegrafi/

































