LAJMI I FUNDIT:

UNË NUK SHKRUAJ POEZI

UNË NUK SHKRUAJ POEZI

Poezi nga: Titsian Tabidze
Përktheu: Maksim Rakipaj

Nuk shkruaj vargje. Ata, shkruajnë histori,
Për mua, jetën time, gjer në të fundmin cak.
Ç’varg të shkruaj? Bie borë. Këtu po jap shpirt.
Dhe këta më varrosin të gjallë. Ja se ç’varg.

Nën shi petalesh, në muajin prill jam lindur.
Shi brenda shiut, çelnin mollët, zbardhte gjithçka.
Si lotët, petalet me shi i fshinte shiu,
Si lotët e mi, por tashmë larg janë, larg.

Firmoset vdekja ime. Por po të shikojë
Ndonjëri, gjurmët që duke ecur kam lënë,
Kur të mos jem, do të hidhet që të më mbrojë
Do të dalë ndonjë poet e ka për të thënë:

“Eh, do të thotë, fatkeq miku yn’ i rrallë.
Më i veçanti nga brigjet e lumit Orpir.
Por i shpëtoi vargjet, si bukën me dhjamë
Dhe unë i mora, t’i kem udhës si ushqim.

E torturuan para vdekjes pa mëshirë,
Por gjuhës gjeorgjiane ia mbrojti bukurinë,
Bëri çka mundi, për të dhe Gjeorgjinë,
Por nuk e lanë ta shijonte lumturinë.”

Nuk shkruaj vargje. Ata, shkruajnë histori,
Për mua, jetën time, gjer në të fundmin cak.
Ç’varg të shkruaj? Bie borë. Këtu po jap shpirt.
Dhe këta më varrosin të gjallë. Ja se ç’varg.