LAJMI I FUNDIT:

Ultrazëri në diagnostikën radiologjike – përse përdoret, përgatitja dhe procedura

Ultrazëri në diagnostikën radiologjike – përse përdoret, përgatitja dhe procedura

Ultrazëri është metodë diagnostike, e cila bazohet në emetimin dhe detektimin e valëve të ultrazërit të cilat refuzohen nga strukturat në organizmin e njeriut

Dr. Lendita Kamberi,
Specialiste e radiologjisë


Ultrazëri është metodë e padhembshme diagnostike, ndërkaq krijon pamjen e brendësisë së trupit duke shfrytëzuar valët e zërit. Përdoret si metodë ndihmëse atje ku gjetjet e rëntgenit nuk janë të mjaftueshme, për shembull për hulumtimin e organeve abdominale (mëlçisë, shpretkës, fshikëzës së tëmthit, pankreasit dhe veshkave), domethënë për diferencimin e malinjeve nga ndryshimet cistike në ato organe.

Kontrolli me ultrazë nuk përdor rrezatim jonizues (siç janë rrezet e rëntgenit). Duke u krijuar pamjet me ultrazë në kohë reale, me ultrazë është e mundshme të tregohet edhe struktura dhe lëvizja e organeve të brendshme, si edhe qarkullimin e gjakut në enët e gjakut.

Në diagnostikimin mjekësor më së shpeshti përdoren frekuencat e ultrazërit midis 1 – 15 MHz (kohëve të fundit përdoren edhe frekuencat nga 20 – 40 MHz). Valët e ultrazërit janë longitudinale dhe lehtë penetrojnë nëpër inde.

Burimet e ultrazërit emetojnë valë ultrazëri të frekuencës së caktuar të cilat reflektohen nga indet dhe me atë rast detektohen nëpërmjet detektorit. Valët reflektuese të ultrazërit si informacione analoge shndërrohen në numra, ndërkaq ato pastaj përpunohen matematikisht në kompjuter dhe sërish shndërrohen në informacione analoge, të cilat atëherë i marrim në formë fotografie.

Aparati i ultrazërit është aparat i cili jep pamjen e seksioneve të brendësisë së trupit të njeriut, me rrafshin në të cilin rrezja e ultrazërit përhapet.

Procedura e kontrollit me ultrazë është procedurë e krijimit të pamjes dydimensionale dhe tridemensionale të seksioneve të brendësisë së trupit të njeriut.

Ultrasonografia është e përhapur gjerësisht në mjekësi ku përdoret për qëllimet e diagnostikimit dhe terapisë.

Teknikët e ultrazërit (sonografistët) janë profesionistë mjekësorë, të cilët bëjnë hulumtime të caktuara ultrazëri, rezultat i të cilave janë të interpretuara nga radiologët apo kardiologët (nëse është fjala për hulumtime specifike të muskulit të zemrës).

Teknikët më së shpeshti përdorin sondat (transducerët) e frekuencave të caktuara të cilat pozicionohen drejtpërdrejt në trupin e pacientit.

Në kohët e fundit vetë mjekët përdorin hulumtime me ultrazë për shkak të gjerësisë së diagnostikues të cilën ky lloj kontrolli e jep. Gjithashtu, kontrollimi me ultrazë është i padhembshëm, nuk është invaziv, nuk përdor rrezatim jonizues, nuk kërkon përgatitje të veçantë të pacientëve dhe personit i cili kryen procedurën, kushton relativisht lirë dhe është metodë e besueshme.

Shumica e kontrolleve bëhet me sondë ultrazëri të mbështetur në lëkurë, me valë zëri të orientuar në drejtim të organit apo pjesës së trupit që analizohet. Gjatë kontrollit është me rëndësi që të qëndroni të qetë dhe të bashkëpunoni me mjekun, i cili nga ju do të kërkojë që të qëndroni në pozitë të caktuar, apo që të mbani frymën gjatë disa sekondave. Pjesa e kontrolluar e trupit mbulohet me një sasi të vogël xheli në mënyrë që të eliminohet tingulli midis sondës dhe lëkurës. Mjeku lëviz sondën sipër pjesës së kontrollimit të trupit dhe, nëse zona është e ndjeshme, mund të ndieni dhembje, por vetë valët e tingullit nuk shkaktojnë dhembje.

Me avancimin e aparateve të ultrazërit është zhvilluar edhe hulumtimi me Dopplerin me ngjyra, ku tregohet dhe matet qarkullimi gjakut në enë të gjakut.

Metodat e ultrazërit teknologjikisht perfeksionohen shumë shpejt me çka zgjerohet fusha e aplikimit në diagnostikim dhe shërim. E aplikojnë mjekët e të gjitha profileve, ndërkaq për shkak të thjeshtësisë dhe aksesit që ka, pothuajse në të gjitha sëmundjet është një ndër procedurat e para në diagnostikim.

Me ultrazë mjeku ka pamje komplete në gjendjen e përgjithshme të organizmit dhe në probleme, duke përfshirë edhe gjendjen trupore dhe psikike të pacientit në ambientin e punës dhe në atë familjar dhe hulumton ndikimin e sëmundjes në gjendjen e tërësishme të pacientit.

Si të përgatiteni për kontroll?

Vishni rroba të rehatshme në mënyrë që më lehtë të mund t’i zhvishni për nevoja të kontrollit dhe të zbuloni zonën e cila kontrollohet.

Nga kontrolli me ultrazë nga i cili do të varet edhe regjimi juaj dietal, i bazuar në ushqimin i cili nuk fryn lukthin, sepse ushqimi i cili fryn lukthin çon deri në grumbullim të ajrit në lukth dhe zorrë, gjë që pamundëson kontroll cilësor.

Një natë para kontrollit, konsumoni ushqim i cili nuk përmban yndyra, ndërkaq 5 – 6 orë para kontrollit duhet të mos hani asgjë. Nëse kontrolli bëhet në fshikëzën e urinës, patjetër duhet të pini së paku 5 – 6 gota ujë një orë para kontrollit, në mënyrë që lëngu të bjerë në fshikëz.

Mjekut duhet t’i tregoni praninë e trupit të huaj metalik në zonën të cilën e kontrollon. Gjithashtu duhet t’i tregoni nëse 4 ditë më parë keni bërë ndonjë prej kontrolleve kontraste (EGD, irigografi…).

Cilat janë kufizimet e kontrollit me ultrazë?

Valët e ultrazërit i ndërpret ajri apo gazi: pra, ultrazëri nuk është metodë ideale për kontroll të zorrëve të mbushura me ajër apo organeve të cilat janë të mbuluara me zorrë.

Pacientët obezë është më e vështirë të kontrollohen me ultrazë për shkak të sasisë së madhe të indeve të cilat dobësojnë valët e ultrazërit në rrugën deri te organi i kontrolluar.

Ultrazëri nuk penetron në eshtra dhe për këtë shkak mund të shihet vetëm sipërfaqja e jashtme e strukturës eshtërore, jo edhe struktura e thellë e tyre (pos te të posalindurit të cilët kanë pjesën më të madhe të kërcit në strukturën skeletore, sesa te fëmijët më të mëdhenj dhe te të rriturit).

Dalja akustike e pajisjes së ultrazërit është mirë e kontrolluar. FDA-ja kërkon që intensiteti maksimal i qasshëm i ultrazërit të jetë i kufizuar edhe në harmoni me AIUM/NEMA Output Display Standards dhe aty janë përfshirë prodhuesit më të mëdhenj botërorë të aparateve të ultrazërit.

Ekzistojnë situata specifike klinike në të cilat duhet pasur kujdes në mënyrë që të mos ketë ultrazë më shumë sesa është i nevojshëm. Në situata të tilla janë të dobishme informacionet mbi sigurinë e ekranit dhe kështu operuesin menjëherë e drejton në rrezikun potencial.

Si të veprohet nëse gjatë kontrollit me ultrazë shihet që diçka nuk është në rregull?

Nëse diçka nuk është në rregull, janë të nevojshme kontrolle të mëtejshme, kryesisht te mjekët të cilët merren me probleme të tilla, të cilët bisedojnë me ju për nevojën e kontrolleve të tjera, për mundësitë e diagnostikimit, llojin e problemit, prognozën dhe opsionet e mëtejshme.

Cilat janë pasojat negative të ultrazërit?

Ultrazëri nuk ka treguar kurrfarë efektesh të dëmshme biologjike apo mekanike për organizmin e njeriut, kështu që procedura mund të përsëritet aq herë sa do të jetë e nevojshme.

Çfarë ndodh pas kontrollit?

Radiologu interpreton kontrollin të cilin e ka bërë, duke analizuar pasqyrën e bërë gjatë kontrollit, ndërsa në disa raste mund edhe të diskutojë me ju për konkluzionet të cilat i ka marrë gjatë kontrollit.

Mund të përfundojmë që shfaqja dhe studimi i shfaqjes së ultrazërit ka sjellë ndryshime të mëdha në të gjitha sferat e shkencës dhe teknologjisë dhe se në zhvillimin e mëtejshëm aplikimi i ultrazërit do të jetë edhe më i madh. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Shëndetësi
Kalo në kategori