LAJMI I FUNDIT:

Ukraina, nën presionin e kohës

Ukraina, nën presionin e kohës
Ilustrimi: James Ferguson / The Financial Times

Nga: Gideon Rachman / The Financial Times (titulli origjinal: Ukraine feels the pressure of time and rising expectations)
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Ukraina sapo ka pasur një triumf diplomatik. Shteti tashmë është nën presion për të vazhduar me triumfin ushtarak.


Pas jehonës së Samitit të G7-ës në Hiroshimë, fokusi do të kthehet në realitetet brutale të luftës në Ukrainën lindore. Mbështetja diplomatike dhe ushtarake e ofruar për Volodymyr Zelenskyyn në G7, ishte nxitje e madhe për presidentin ukrainas. Por, rreziku është se takimi mund të mbahet mend si niveli më i lartë i mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën.

Ukrainasit e dinë se mënyra më e mirë për ta ruajtur mbështetjen perëndimore është që të arrish përparim dramatik në fushën e betejës. Por, pretendimet ruse se më në fund e kanë marrë kontrollin e qytetit shumë të kontestuar, kryesisht të shkatërruar të Bahmutit, bëjnë me dije se sa sfiduese mund të jetë kjo.

Në komunikatën e lëshuar nga G7-a, nuk ishte asnjë shenjë e këtij presioni ndërkombëtar ndaj Zelenskyyt,. Grupi e përdori formulën e njohur se do ta mbështesë Ukrainën, “për aq kohë sa duhet”. Por, mesazhi jozyrtar është paksa më i ndërlikuar: “Për aq kohë sa duhet. Por, më mirë do të ishte nëse nuk zgjat shumë”.

Kjo ndjenjë urgjence nuk pasqyron mungesën e simpatisë për Ukrainën, nga ana e qeverive kryesore perëndimore. Në vend të kësaj, ekziston shqetësim se nëse kundërsulmi i shumëpritur i Kievit nuk arrin të ndryshojë valën në fushën e betejës, do të jetë e vështirë për mbështetësit e shtetit që ta mbajnë nivelin aktual të mbështetjes politike, financiare dhe logjistike.

Presioni i shtuar ndaj Ukrainës është i lidhur ngushtë me zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në ShBA. Dalja e Donald Trumpit si kryesues republikan, shton frikën se presidenti i ardhshëm i ShBA-së do ta ndryshojë rrënjësisht politikën ndaj Ukrainës. Trumpi është mburrur se brenda një dite mund t’ia japë fundin luftës, një mesazh mjaft ndryshe nga ai “për aq kohë sa duhet”.

Edhe fushata zgjedhore presidenciale e dominuar nga Trumpi, ka të ngjarë të minojë dukshëm konsensusin dypartiak të Amerikës – për Ukrainën. Të gjitha llojet e argumenteve kundër mbështetjes për Kievin – nga kostot e luftës e deri te rreziqet e përshkallëzimit – do të dalin në pah. Sondazhet e opinionit në ShBA tregojnë tashmë një rënie të mbështetjes për Ukrainën.

E gjithë kjo ia jep Vladimir Putinit arsyen të shpresojë se, nëse mund ta mbajë Rusinë të luftojë edhe për 18 muaj të tjerë, kalorësia trumpiste mund të dalë në horizont. Kremlini tashmë po flirton së tepërmi me ish-presidentin amerikan dhe me mbështetësit e tij. Lista e fundit e Rusisë, për amerikanët e sanksionuar, përfshin njerëzit që nuk kanë të bëjnë fare me Ukrainën, por që janë në listën jozyrtare të armiqve të brendshëm të Trumpit – si Brad Raffensperger, zyrtari që i rezistoi lutjeve të Trumpit për t’i “gjetur” disa vota më shumë në Gjorgji.

Duke pasur parasysh se ShBA-ja e ofron shumicën e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, janë vendimtare qëndrimet në Uashington. Ndryshimi në atmosferën politike të SHBA-së, në mënyrë të pashmangshme do të depërtojë edhe në Evropë. Ndërprerjet në tregun e energjisë, të shkaktuara nga lufta, kanë bërë që vendet evropiane të shpenzojnë rreth 800 miliardë euro për subvencionet e energjisë. Pakënaqësia ekonomike mund të përkthehet në rritje të mbështetjes për partitë populiste të së djathtës dhe të së majtës ekstreme, që janë simpatike ndaj Rusisë.

Pastaj është çështja e furnizimeve me armë. Si ShBA-ja, ashtu edhe Evropa, i kanë zbrazur inventarët e tyre të municioneve përkatëse, të tillat si predhat e artilerisë, në përpjekjet e veta për ta mbajtur Ukrainën të furnizuar. Pa u kthyer në ekonominë e kohës së luftës, fabrikat perëndimore të armëve nuk mund të vazhdojnë me ritmin e betejës. Luftimet janë aq intensive sa që, siç thotë një politikan perëndimor, “ukrainasit me orë të tëra konsumojnë atë që ne prodhojmë në javë”. Zyrtarëve perëndimorë të sigurisë kombëtare u është dashur të dalin e të veprojnë në mënyrë sekrete si tregtarë të armëve – që lëvizin nëpër kryeqytetet globale, nga Seuli në Islamabad – për të kërkuar furnizime të reja me raketa dhe me armë të tjera për t’u dërguar në front.

ShBA-ja dhe evropianët besojnë se përpjekjet e tyre kanë funksionuar dhe se Ukraina tani ka armatim të mjaftueshëm për ta zbatuar një ofensivë serioze. Por, dollapi i armatimeve të Perëndimit tashmë duket goxha i zbrazët. Nuk do të plotësohet tërësisht deri në vitin 2024 – edhe pse deri në atë kohë ukrainasit do të jenë në gjendje t’i vendosin aeroplanët luftarakë që ua premtuan gjatë javës së kaluar.

Kundërofensiva aktuale e Ukrainës ka të ngjarë të fillojë në heshtje, me një seri misionesh hetuese që do t’i kërkojnë dobësitë në linjën ruse. Por, shtrirja e këtyre dobësive ruse mbetet “e panjohura” më e madhe e luftës.

Disa zyrtarë perëndimorë, të cilët kanë punuar ngushtë me Kievin, besojnë se ukrainasit kanë një shans të mirë për t’i thyer linjat ruse dhe për ta kërcënuar Krimenë. Të tjerët paralajmërojnë se rusët janë gërmuar – dhe se trupat ukrainase që nuk kanë përvojë, do ta kenë të vështirë fitimin e terrenit. Pesimistët kanë frikë se nëse lufta mbetet në qorrsokak edhe në vitin e ardhshëm, Putini mund të arrijë t’i mobilizojë qindra-mijëra trupa të reja për fazën tjetër të konfliktit. Ndonëse ukrainasit kanë moral më të lartë dhe taktika më të mira, Rusia ka grup më të madh të ushtarëve potencialë.

Por, edhe nëse Ukraina nuk arrin ta bëjë ndonjë përparim dhe mbështetja perëndimore për Kievin nis të lëkundet, ky nuk do të jetë fundi i çështjes. Zyrtarët ukrainas theksojnë se, ndryshe nga mbështetësit e tyre perëndimorë, ata kurrë nuk do ta kenë luksin për t’u larguar nga konflikti. Dmytro Kuleba, ministri i Jashtëm i Ukrainës, i pëlqen të citojë një fjalë të urtë që i atribuohet John Lennonit: “Në fund gjithçka do të jetë në rregull. Nëse nuk është në rregull, nuk është fundi”. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Granit Xhaka 'mbulohet' me para nga Leverkuseni me fitimin e titullit në Bundesligë

Granit Xhaka 'mbulohet' me para nga Leverkuseni me fitimin e titullit në Bundesligë

Bundesliga
Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lajme
O'Brien pas takimit me Vuçiqin: Shpresoj që komuniteti ndërkombëtar do të bëjë gjithçka që Kosova të themelojë Asociacionin

O'Brien pas takimit me Vuçiqin: Shpresoj që komuniteti ndërkombëtar do të bëjë gjithçka që Kosova të themelojë Asociacionin

Politikë
A e dini se për çfarë shërben gjysmërrethi në buzë të zonës së penalltisë? Këtu është rasti i vetëm në të cilin përdoret

A e dini se për çfarë shërben gjysmërrethi në buzë të zonës së penalltisë? Këtu është rasti i vetëm në të cilin përdoret

Ndërkombëtare
Si e “tradhtoi” Rudiger shokun e tij më të mirë në futboll gjatë ekzekutimit të penalltive në Man City-Real

Si e “tradhtoi” Rudiger shokun e tij më të mirë në futboll gjatë ekzekutimit të penalltive në Man City-Real

Liga e Kampionëve
Çifti i famshëm i futbollit që luajnë për të njëjtin ekip, kanë një rregull në shtëpi që duhet ta respektojnë të dy

Çifti i famshëm i futbollit që luajnë për të njëjtin ekip, kanë një rregull në shtëpi që duhet ta respektojnë të dy

Magazina
Kalo në kategori