LAJMI I FUNDIT:

Ukraina duhet të jetë pjesë e NATO-s

Ukraina duhet të jetë pjesë e NATO-s

Epoka e pasluftës së Ftohtë ka mbaruar dhe nuk ka më shtete neutrale në vijën e parë – midis Evropës së lirë dhe Rusisë perandorake. Si një vend që do të ruajë pavarësinë dhe integritetin e vet territorial, Ukrainës i duhet të jetë pjesë e një strukture sigurie efektive.

Kievi e ka bërë të qartë se, nga Perëndimi, kërkon garanci reale për sigurinë dhe jo premtime të palexueshme. Dhe me qëndrueshmërinë e saj si komb dhe aftësitë në luftim, Ukraina ka dëshmuar se do të mbrojë sigurinë evropiane si të sajën.


Asnjë prej negociatave midis Kievit dhe Moskës nuk duhet të keqinterpretohet. Ukraina nuk po negocion në pozitat e të dobëtit, por si një fuqi ushtarake në rritje, që ka zmbrapsur forcat ruse në mjaft fronte betejash. Ajo po negocion me Rusinë kryesisht për të lehtësuar presionin ndaj civilëve që bombardohen nga trupat ruse dhe për të siguruar ndihmë humanitare.

Kurse objektivi i Rusisë është të bindë Perëndimin që të neutralizojë Ukrainën, ndërkohë që i bën presion Kievit për të pranuar statusin e një vasali të çarmatosur.

Krimet e luftës të kryera nga trupat ruse nuk janë vetëm veprime të bëra nga dëshpërimi. Moska qëllimisht masakron civilë të paarmatosur. Kështu, videot e shkollave dhe spitaleve të bombarduara do shërbejnë që Perëndimi t’i bëjë presion Ukrainës për lëshime të njëanshme.

Sidoqoftë, mizoritë ndaj civilëve po japin efekt të kundërt. Ata po e bëjnë rezistencën e Ukrainës më solide; po i shtojnë furnizimet me armë nga Perëndimi; dhe po e rrisin mbështetjen për sanksione gjithëpërfshirëse ndaj tregtisë me Rusinë dhe energjisë së saj. Sanksionet ndihmojnë në të privuarit e Rusisë nga burimet që i nevojiten për të vazhduar luftën dhe për të funksionuar si shoqëri.

Ukrainës i duhet ta fitojë këtë luftë, si për të shmangur çfarëdo sulmi të ardhshëm nga Moska, po ashtu dhe për t’i dhënë një mësim të dhimbshëm Rusisë në lidhje me ambiciet e saj perandorake/imperialiste. Një fitore e plotë do përfshinte tërheqjen e plotë të trupave ruse nga të gjitha territoret e pushtuara, përfshi Donbasin dhe Krimenë.

Në të njëjtën kohë, sanksionet duhet të vazhdojnë të jenë në fuqi derisa Putini dhe regjimi i tij të rrëzohen, ndërkohë që miliarda dollarë asete të ngrira ruse në institucionet financiare perëndimore kanalizohen për rindërtimin e Ukrainës.

Në fjalimin e tij të fundit në Varshavë, Presidenti Joe Biden në fakt u bëri thirrje shtetasve të Rusisë që të hedhin regjimin e Putinit ose të (pranojnë të) përballen me shkatërrim ekonomik.

Kievi po kërkon garanci ndërkombëtare të qenësishme për sigurinë, në mënyrë që të pengojë çfarëdo agresioni ushtarak në të ardhmen.

Kjo sinjalizon ose një lëvizje drejt anëtarësimit në NATO ose një traktat me NATO-n apo ShBA-në që do t’i siguronte Ukrainës të merrte të gjitha armët dhe mbështetjen e nevojshme për parandalim dhe vetëmbrojtje.

Vetë Rusia nuk mund të jetë palë që garanton sigurinë e Ukrainës, sepse ajo është kërcënimi i vetëm i sigurisë së Ukrainës, pasi shkeli Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, të nënshkruar nga ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Rusia për të garantuar sigurinë e Ukrainës, kur Kievi dorëzoi armët e tij bërthamore.

Ukraina është pikërisht ai lloj vendi që NATO ka nevojë të këtë si anëtar: një vend që e kupton katërcipërisht kundërshtarin rus, shfaq aftësi të jashtëzakonshme ushtarake dhe ka përkushtimin për mbrojtjen e Evropës së lirë.

Kur një vend anëtarësohet në NATO, shanset e një sulmi rus ndaj tij zvogëlohen ndjeshëm, siç është vënë re në rastin e shteteve baltike, që janë shumë më të vogla dhe më të dobëta (se Ukraina). Edhe pse Moska kërcënon vazhdimisht Estoninë, Letoninë, Lituaninë, ajo nuk ndërhyn ushtarakisht atje, pasi i frikësohet një reagimi shkatërrues të NATO-s të udhëhequr nga SHBA.

Kremlini vazhdon të ndërmarrë fushata frikësimi me asgjësime bërthamore dhe luftëra botërore, në mënyrë që të prishë kohezionin/unitetin e Perëndimit.

Ndonëse përdorimi i armëve strategjike bërthamore të çfarëdo lloji kundër Perëndimit nuk është i pritshëm, duke pasur parasysh se do të nënkuptonte vetëvrasje kombëtare, Moska mund të përdorë armë taktike bërthamore ose kimike me rreze të shkurtër veprimi kundër objektivave ukrainas. Sidoqoftë, një përshkallëzim i kësaj natyre, gjithashtu, do të provokonte reagimin e NATO-s, si Biden është shprehur, dhe kjo mund të përfshinte forcat amerikane, në një kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë ndaj burimit të sulmit.

Qeveritë e Perëndimit duhet të jenë të kujdesshme që padashur të mos mbështesin fushatën e frikësimit të Kremlinit, që paralajmëron Luftën e Tretë Botërore në rast të ndonjë përfshirjeje të drejtpërdrejtë të NATO-s në luftë.

Ushtria ruse nuk mund të krahasohet me NATO-n dhe do të shmangë çdo konfrontim të drejtpërdrejtë me të. Përveç paaftësisë organizative, dështimeve të pajisjeve dhe mungesës së fuqisë njerëzore që dolën në pah në Ukrainë, Rusia po përballet me një katastrofë ekonomike të paprecedent, pasi sanksionet perëndimore po rriten, çfarë do t’i shterojnë në mënyrë domethënëse kapacitetet e saj ushtarake.

Për më tepër, Moska nuk ka aleatë të besueshëm. Edhe Bjellorusia e shtetet e Azisë Qendrore pjesë e Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO) të dominuar nga Moska nuk duan të luftojnë në emër të imperializmit rus.

Për më tepër, Kina do ta shmangë përfshirjen në luftë me ShBA-në dhe do të përgatitet më shumë për të përvetësuar burime energjie dhe territore të vyera të Siberisë dhe të Lindjes së Largët, sapo Rusia të fillojë të shkërmoqet. /gazetadita.al/