ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Ukraina pritet të marrë në ditët e ardhshme raketa të sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Gjatë një konference për media, ai tha se ka arritur marrëveshje të veçanta edhe me vendet evropiane për furnizime të reja ushtarake.


Lideri ukrainas sqaroi se ende nuk janë përcaktuar data të sakta, por raketa shtesë të tipit PAC-3, të përdorura nga sistemet Patriot, do t’i dërgohen Ukrainës.

“Kam pasur gjithashtu marrëveshje të ndara me evropianët. Nuk ka ende data konkrete, por do të sigurohen raketa shtesë PAC-3”, deklaroi Zelensky.

Presidenti ukrainas theksoi se, sipas tij, avantazhi i vetëm që i ka mbetur presidentit rus Vladimir Putin janë raketat balistike.

“Rusia nuk ka mbetur me asgjë tjetër. Ukraina është forcuar si në fushën e betejës, ashtu edhe në mbrojtjen ajrore”, tha ai.

Sipas tij, situata aktuale paraqet një “dritare unike mundësie” për Ukrainën, e cila duhet të shfrytëzohet për të rritur aftësitë e saj mbrojtëse dhe për të zmbrapsur sulmet ruse.

Sistemet Patriot konsiderohen ndër mbrojtjet ajrore më të avancuara në botë dhe janë të afta të interceptojnë raketa balistike, raketa lundruese dhe avionë luftarakë. /Telegrafi/