LAJMI I FUNDIT:

Uka i Bjeshkëve të Nemuna me traktorin e Uzinës së Tiranës shkon në Hënë: Odiseja hapësinore e të guximshmëve!

Uka i Bjeshkëve të Nemuna me traktorin e Uzinës së Tiranës shkon në Hënë: Odiseja hapësinore e të guximshmëve!

Për regjisorin Stanley Kubrick, për njërën prej kryeveprave të kinematografisë botërore – filmin “2001: A Space Odyssey” në 50-vjetorin e premierës – dhe historinë që krijohet nga njerëzit e guximshëm, në shoqëritë mendjehapura…

Traktorin e parë (me avull) Anglia e prodhoi në fillim të shekullit XIX. Në vitin 1978 u prodhua traktori i parë në Shqipëri. Atë makinë, në Uzinën e Traktorit në Tiranë, e testoi kryeministri i atëhershëm, Mehmet Shehu, i cili inaugurimin për pak sa nuk e shndërroi në tragjedi duke shkelur për vdekje disa punëtorë!


Më 1977 u shkurorëzua dashuria Shqipëri-Kinë. Vendi më 1978 ishte në izolim total e varfëria veçse shtohej. Ndaj, prodhimi i traktorit ishte më shumë mjet propagande, “dëshmi” e krerëve komunistë shqiptarë për triumfin e sloganit “Me forcat tona”! Por, derisa kinezët – në fabrikën ku shqiptarët morëm më parë zanat – mund të prodhonin një traktor çdo 50-60 sekonda, shqiptarët prodhuan 100 traktorë në tre vjet – një çdo 11 ditë. Sepse, shpejt u shterën “forcat tona”!

Sidoqoftë, lajmi mori dhenë përmes valëve të fuqishme të Radio Tiranës. Atë lajm e dëgjoi edhe vëllai i vogël i artistit, intelektualit dhe disidentit Jusuf Gërvalla. Kur këtë informatë ia jep vëllait, me gëzim, i bindur se Shqipëria po bëhej përherë e më e fortë, aq e fortë sa që shpejt edhe do të na çlironte nga Jugosllavia, Jusufi ia kthen: “Eh more vëlla, ti flet për traktorë, e amerikanët moti kanë mbërri në Hanë”!

PËRTEJ IZOLIMIT E BUDALLAIT

Të guximshmit bëjnë ndryshime. Ndryshime kanë bërë edhe Enver Hoxha me shumë të tjerë që e deshën dhe e duan izolimin, sepse në të ndjehen më të fortë e më të sigurt. Por, të guximshmit e dijshëm, në mesin e të duhurve, shohin para dhe e bëjnë ndryshimin – veprën e mirë për dobinë e përgjithshme. Këtë e zbërtheu Milos Forman me interpretimin kinematografik të veprës së Ken Keseyt, “One Flew Over the Cuckoo’s Nest” (“Fluturimi mbi folenë e qyqes”, 1975). “Prijësi” Bromden thyen xhamat, sepse kishte forcë dhe nuk ishte i çmendur. Ai del jashtë, e të tjerët lirinë e shohin me frikë – nga brenda mureve. Sepse, në Çmendinë nuk vërehet i mençuri. Ai as nuk e ka vendin aty, siç nuk e kishte gazetari Johnny Barrett në filmin “Shock Corridor” (“Korridori i elektroshokut”, 1963), i cili i etshëm për të fituar Çmimin Pulitzer, shtiret i çmendur për të zbuluar një vrasje në Çmendinë, por që bëhet viktimë e seancave të elektroshokut – dhe ndryshon, njëjtë si Randle Mcmurphy i “Fluturimit…”!

Botës dobi i sollën Da Vinci, Newton, Maxwell, Voltaire, Shakespeare, Galilei, Leibniz, Einstein… Koeficienti i Inteligjencës (IQ) së këtyre emrave sillej te 200-shi. Sa e regjisorit Stanley Kubrick!

Botën e bënë vend më të mirë ata që zbuluan diodën, transistorin, qarkun e integruar dhe mikroprocesorin. Ata që projektuan të sotmen dhe të ardhmen. Edhe Kubricku që krijoi kompjuterin më të famshëm në histori, projeksionin më të mundshëm të së ardhmes: HAL 9000! Ai e “zbuloi” edhe tabletin. Më 1968! Së paku këtë e tha kompania Samsung në mbrojtje ndaj padisë për patente që ia kishte bërë Apple.

IQ-ja aq e lartë e Kubrickut thuhet edhe se është mit i krijuar nga adhuruesit e tij. Por, në fakt vet ai është mit në botën e kinematografisë; një profesionist dhe perfeksionist i rrallë, arti i të cilit ndërtohej me saktësinë e formulave. Çdo kuadër i tij kishte kuptim, çdo fjalë mendim.

Dhe, 10 vjet para prodhimit të traktorit të parë shqiptar, e 50 vjet para izolimit tjetër shqiptar në Kosovë, më 1968 shikoi përtej të tashmes dhe të mundshmes. Realizoi një prej veprave më të mëdha të kinematografisë botërore, “2001: A Space Odyssey” (2001: Odiseja hapësinore). Regjisori George Lucas ka thënë se do të jetë vështirë për dikë tjetër të bëjë film më të mirë se ky. Ndërkaq, Ridley Scott shprehet se ky është një film i pamposhtur, që në një mënyrë e ka vrarë zhanrin e fantastikës shkencore. Edhe për kritikun e filmit, Michel Ciment, “Kubrick ka konceptuar një film i cili me një goditje ka bërë të dalë nga moda kinemaja e fantashkencës”!

PROJEKSIONI I SË ARDHMES

“2001”-shi u realizua në vlugun e luftës për pushtimin e Hënës, mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS). Pushtimi i Hënës ishte hapi drejt fitores së njërit bllok ndaj tjetrit (Lindjes komuniste të udhëhequr nga BRSS dhe Perëndimit kapitalist të prirë nga SHBA-të). Në këtë luftë hapësinore, Kubrick krijoi një vepër që edhe sot mahnit njerëzimin. Ndaj, gjenialiteti i tij u bë pjesë e teorive të komplotit.

Në një nga ato teori thuhet se dy agjentë të CIA-s infiltrohen në NASA ku fshehurazi kuptojnë se amerikanët nuk janë në gjendje të shkojnë në Hënë. Nga frika se rusët do t’ia dalin të parët, ata nisin të bëjnë plane që ta inskenojnë zbarkimin. Por, si të bëhet ky inskenim i bindshëm? Duke u infiltruar në sheshxhirimet e “2001”-shit dhe duke “vjedhë” zanatin e projektimit të imazheve dhe të krijimit të terreneve artificiale.

Kjo është fabula e filmit “Operation Avalanche” (“Operacioni Orteku”, 2016), një film që përforcon më shumë teoritë e konspiracionit se anija “Apollo 11” kurrë nuk zbriti në Hënë më 20 korrik 1969.

Përfshirja e Kubrickut në këto teori nisi më 1995, me një lajm të rrejshëm në internet, në të cilin thuhej se regjisori i famshëm ishte shantazhuar nga CIA për të marrë pjesë në këtë mashtrim, ndryshe do ta pësonte vëllai i tij komunist, Raul. Kubrick nuk kishte vëlla me atë emër. Por, lajmi u përhap. Dhe, pas tij këtij lajmin dolën edhe “lajme” të tjera, si mokumentari “Dark Side of the Moon” (“Ana e errët e Hënës”, 2002), që nga shumëkush çuditërisht perceptohet si i vërtetë.

Në dokumentarin “Room 237” (“Dhoma 237”, 2012) trajtohet filmi “The Shining” (“Farfuritja”, 1980) – bazuar në romanin e Stephen Kingut, me të njëjtin titull. Në të disa thonë se filmi flet për gjenocidin, qoftë ndaj indianëve indigjenë të Amerikës apo të hebrenjve në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, Jay Weidner shprehet se Kubrick ka dhënë sinjale për përfshirjen e tij në mashtrimin e fluturimit në Hënë. Sipas tij, dhoma famëkeqe “217” e hotelit ku zhvillohet ngjarja, është ndryshuar në “237” meqë kështu quhej studioja ku janë bërë xhirimet e “rënies” në Hënë. Ndërkaq, 237 mijë milje është distanca Tokë-Hënë.

Kubrick ishte mjeshtër i imazheve. Thuhet se e njihte edhe joshjen e ndërdijes, teknikat që përdornin mjeshtrit e marketingut. Ndaj, mendohet se në veprat e tij luante jo veç me analfabetizmin literal, po edhe atë viziv të shumicës. Ndoshta…!

NXËNËSI I KEQ – GJIGANT

Kubricku ka qenë nxënës shumë i keq, me mesataren 67 (sipas sistemit amerikan të notimit në shkolla, nga 0-4 ku katërshi është më i miri, ai ishte në nivelin e parë kalues, në njësh). Madje thoshte se “nuk kam mësuar asgjë në shkollë dhe nuk kam lexuar libër për qejf deri në moshën 19-vjeçare”. Për këtë kritikonte sistemin shkollor që nuk nxiste mendimin kritik dhe interesimet e nxënësve.

“Mendoj se gabimi i madh në shkolla është përpjekja për të mësuar fëmijët për çdo gjë dhe duke përdorur frikën si motivimin themelor…”, ka thënë Kubricku, i cili mezi e përfundoi shkollën e mesme, për t’u bërë zhgënjim për prindërit pse nuk u bë “djalë me fakultet”!

Por, janë dy momente që do të ndikojnë në të ardhmen e tij. Në moshën 12-vjeçare Kubrick nis të luajë shah. Më vonë do të thotë se shahu e ka ndihmuar të zhvillojë durimin dhe disiplinën në përzgjedhjen e alternativave, sidomos kur vendimi impulsiv dukej atraktiv. Ndërkaq, në moshën 13-vjeçare pajisjet me fotoaparatin Graflex që do ta përcaktojë të ardhmen e tij. Nga kjo moshë nis studimi i tij për kinemanë. Në moshën 23-vjeçare realizon dokumentarin e parë, “Day of the Fight”. Këtë dhe katër dokumentarët e filmat e ardhshëm do t’i bëjë duke kërkuar mjete, kudo që mundet. Këto realizime nuk patën sukses financiar, po e zbuluan gjeniun e ardhshëm të kinematografisë. Ndërsa, qëkur nisë të punojë me trupa dhe kushte profesionale – nga “The Killing” (“Vrasja”, 1956) e deri te “Eyes Wide Shut” (“Sytë haptas të mbyllur”, 1999) – do të realizojë (vetëm) 11 filma që do ta etablojnë si një prej regjisorëve më të mëdhenj të historisë.

Në krijimtarinë e tij ndikim të madh do të kenë regjisorët Max Ophuls, Sergei Eisenstein, G. W. Pabst dhe Orson Welles, si dhe sistemi i aktrimit i Konstantin Stanislavskit. Këta janë ata që më së shumti i ka studiuar. Ndërkaq, lista e atyre që do të ndikohen nga ai është shumë më e madhe dhe kap edhe këta emra të mëdhenj: Martin Scorsese, Steven Spielberg, George Lucas, James Cameron, Woody Allen, Terry Gilliam, Vëllezërit Coen , Ridley Scott, Paul Thomas Anderson, Christopher Nolan, David Lynch, Sam Mendes, Quentin Tarantino, Darren Aronofsky… E, frymëzuesi i dikurshëm, Orson Welles, do të thotë për të: “Në mesin e atyre që i quaj ‘gjenerata e re’, Kubricku më del të jetë gjigant”!

Kubricku, që më vonë do të jetë shumë studioz në krijimtarinë e tij, preferonte të adaptonte për ekran librat që nuk janë kryevepra, se kështu do ta kishte shansin t’i përmirësonte ato. Këtë ai e do ta bënte me çdo film, që nga viti 1956, përfshirë “2001”-shin!

MONOLITI SI BURIM…

Në vitin 1951, shkrimtari i njohur i fantashkencës, Arthur C. Clarke, publikoi tregimin “Sentinel of Eternity” (“Rojtari i përjetësisë”). Tregimi flet për zbulimin e një artefakti në formë tetrahedrale, të cilin para miliona vitesh e kishin lënë jashtëtokësorët që zotëronin teknologji aq të avancuar sa që shkonte përtej çdo imagjinate të njeriut. Më 1964 “Sentinel” do të jetë baza për filmin e ardhshëm të Kubrickut. Por, do të kalonin pothuaj dy vjet të bashkëpunimit Clarke-Kubrick, derisa tregimi do të transformohej në skenar filmi e gati tri të tjera (xhirimet filluan më 29 dhjetor 1965) derisa të jepej premiera më 1968.

Filmi fillon me një grup hominidësh që zbulojnë përdorimin e mjeteve për të vrarë e dominuar hapësirat me ujë, dhe me një monolit të zi që shfaqet para tyre. Miliona vite më vonë, në stacionin hapësinor kërkohet analizimi i një monoliti të varrosur katër milionë vjet më parë në Jupiter (i njëjtë si ai që u është shfaqur paraardhësve të njerëzve në Tokë). Më vonë nis një ekspeditë për në Jupiter. Por, kontrollin në anije e merr kompjuteri HAL 9000, e shkencëtari që udhëheq misionin kalon nëpër Portën Yjore për të përfunduar çuditërisht në një ambient me enterier viktorian…

Gjatë realizimit Kubrick u kujdes që të mos paraqesë pikëpamjen e tij në film, por që të ketë hapësirë për interpretime. Në një intervistë të vitit 1968, për këtë ai u shpreh: “Je sa të duash i lirë të spekulosh për kuptimin filozofik e alegorik të filmit. Nuk do ta jap asnjë hartë verbale rrugore për ‘2001’-shin…”!

“Nëse secili e kupton herën e parë, kemi dështuar në qëllimin tonë”, ka thënë madje ai.

Në fakt, premiera ishte dështim. 241 vetë dalin nga salla, përfshirë aktorin Rock Hudson që thotë: “A po më tregon kush diçka se për çfarë dreqin është fjala”?!

Më vonë numri i shikuesve rritet, fillimisht nga narkomanët të cilët me përdorimin e drogave psikotropike – gjatë skenës së Portës Yjore – kalonin në ekstazë. Me kohë filmi shndërrohet çuditërisht në një sukses komercial, meqë vlerësohet nga kritika e mbi të gjitha nga publiku i rëndomtë që shkon ta shohë jo vetëm një herë.

Por, për çfarë flet filmi që ka 142 minuta e ku në 25 minutat e parë e në 23 të fundit nuk thuhet asnjë fjalë?

Kubrick ishte hebre, por e ndjente veten si ateist. Filmi, siç do të thotë ai, flet edhe për kërkimin e Zotit. Hyu mund të jetë edhe në formën e monolitit që nxiti evolucionin apo mutacionin e hominidëve.

“Nuk besoj në fetë monoteiste të Tokës, por besoj se dikush mund të konstruktojë një definicion intrigues shkencor për Zotin, kur e pranon faktin se janë përafërsisht 100 miliardë yje veç në galaktikën tonë dhe se secili yll është diell jetëdhënës, ndërsa janë afërsisht 100 miliardë galaktika në universin e dukshëm”, ka thënë Kubrick.

Të tjerët thonë se filmi flet për mbinjeriun e Nietzsches apo të dihotomisë apolloniane dhe dionisiane – të konfliktit mes arsyes e rendit dhe instinkteve e kaosit. Të tjerët flasin për evolucionin, ngritjen apo fundin e njerëzimit.

HISTORIA E SHKRUAR PARA 50 VITESH

Njëjtë si regjisori polak Krzysztof Kieslowski, që nuk përfundonte filmat dhe që ishte i hapur për ta pranuar versionin e secilit shikues, e njëjta vlen edhe për “2001”-shin. Por, ajo që vërehet më shumë, sidomos si një parashikim për të sotmen, është raporti mes njeriut dhe teknologjisë. HAL 9000, kulmi i inteligjencës artificiale, evoluon e krijon emocione, lufton për ekzistencën e vet dhe në frikën ekzistenciale vret njeriun, krijuesin e tij – njëjtë si roboti Nexus-6 te filmi “Blade Runner” (“Vrapuesi në teh”, 1982).

“2001”-shi thjesht është kryevepër e kinematografisë, është simbol i synimit të perfeksionit. Fotografia dhe skenografia edhe për kushtet e sotme janë pothuajse të paarritshme. Grafika kompjuterike më 1968 nuk ekzistonte, por Porta e Yjeve është një nga realizimet më unike. Ndërsa, ndonëse “Apollo 11” akoma nuk kishte shkelur në Hënë, Kubrick e krijon pamjen e parë të Tokës nga hapësira; jep ide të udhëtimeve të së ardhmes; dhe një pasqyrë të gravitet jashtëtokësor… Sepse, në tentimin për të qenë i saktë – jo vetëm në aspektin artistik po edhe atë shkencor – zgjeron bashkëpunimin me shkencëtarë të njohur, përfshirë ekspertët nga NASA.

Në film shihet komunikimi me video, ekranet e sheshta kolor, kompjuteri që si Alexa i Amazonit zbaton urdhrat dhe lehtëson punët ditore. Aty është animimi i suspenduar, identifikimi me zë, ushqimi dietal me nevojat elementare, lojërat virtuale, kostumet e zgjuara që inspirojnë madje NASA-n…

“Laptopi dhe telefonat e zgjuar janë aty, gjysmë shekulli para kohe”, ka thënë Piers Bizony, gazetari i temave shkencore. “HAL 9000 është një proto-Siri”!

Pastaj ishte muzika, një si personazh në vete. Në një botë të së ardhmes, Kubrick përcaktohet për muzikën klasike (Richard Strauss, Johann Strauss II dhe Aram Khachaturian). Në këtë film ndodh që frymëmarrja e astronautit të konceptohet si muzikë, e në moment tensioni edhe heshtja. Mbi të gjitha, ky film vuri në pah një nga kompozitorët më avangard të shekullit XX dhe një nga më inovativët në histori, hungarezin Gyorgy Ligeti.

E, në këtë kohë, pra në vitin 1968, në Shqipëri u realizuan tre filma të lodhtë: “Estrada në ekran”, “Horizonte të hapura” dhe “Prita”. Ndërsa, në Kosovë filmi i parë “shqip”, “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”, ku regjisor ishte një serb si dhe shumica e aktorëve. Madje, edhe rolin kryesor të Ukës e luante serbi, si dhe të djalit të tij që ia “merr fytyrën babës” sepse bëhet me italianët e “bën krime kundër popullit të tij”!

Skulptori i madh bashkëkohor shqiptar, Sadik Spahija, thotë se historia e artit është historia e popujve të fuqishëm. Por, e mira është që edhe popujt e vegjël e duan artin, e edhe kanë shansin të shohin vepra të mëdha, si kjo e Kubrickut.

“Por, e keqja e vetme e artistëve të vërtetë të popujve të vegjël është që lindin në kohë të gabuar, vend të gabuar e sidomos mes njerëzve të gabuar”, thotë Spahija.

Ndaj, Kubricku, artisti i guximshëm në Perëndimin e guximshëm, projektoi diçka të besueshme: Tokën dhe gjithësinë të dominuar nga bota anglosaksone, si dhe inteligjencën artificiale që flet veç anglisht.

Po shqip?

HAL 9000: “I’m sorry… I’m afraid I can’t do that”!