LAJMI I FUNDIT:

Udhërrëfyesi për Energji, Lajçak: E mirëpres nënshkrimin e kontratës ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit

Udhërrëfyesi për Energji, Lajçak: E mirëpres nënshkrimin e kontratës ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka bërë sot të ditur se është nënshkruar kontrata ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit në veri.

Lajçak në një postim në X shkruan se e mirëpret nënshkrimin e kontratës dhe se kjo sipas tij është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë, raporton Telegrafi.


“E mirëpres nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever.

Ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë dhe në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Urime për të gjithë ata që e bënë të mundur!”, shkruan Lajçak.

Kohë më parë kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu kishte njoftuar se kanë përfunduar të gjitha obligimet sa i përket marrëveshjes me “ElektroSeveri” në veri të vendit, por shtoi se procesi ka ngecur te pika që ka të bëjë me nënshkrimin e kontratës komerciale me KEDS-in.

Ndërkaq, para disa javëve edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur për moszbatimin e udhërrëfyesit për energjinë, për të cilin Kosova e Serbia u pajtuan në qershor të vitit të kaluar.

Mospërmbushja e detyrimeve, Lajçak thotë se ka rrezik që t’i tërhiqet licenca Elektroserverit
Lexo po ashtu Mospërmbushja e detyrimeve, Lajçak thotë se ka rrezik që t’i tërhiqet licenca Elektroserverit

Rizvanolli në një adresim për gazetarët pas mbledhjes së Qeverisë, kishte thënë se ka pasur sabotim dhe zvarritje nga ana e Serbisë për zbatimin e këtij udhërrëfyesi.

“Kemi pasur një udhërrëfyes vitin e kaluar me afat 100 ditësh, ne kemi thënë me at rast që pagesat e fundit që do të bëhen nga buxheti i Kosovës do të jenë ato deri në zbatimin e kësaj marrëveshje. Kemi pasur kërkesa të vazhdueshme nga KOSTT-i që nga ajo kohë por nuk kemi ndarë mjete shtesë si qeveri”, tha Rizvanolli.

Ministrja theksoi se si qeveri e kanë bërë të qartë për të gjitha palët se një mënyrë e tillë e funksionimit nuk mund të vazhdoj.

Faturimi i rrymës për komunat në veri, Rizvanolli: Elektroseverit i është dërguar kërkesa e fundit për nënshkrim - presim të ndodh brenda ditësh
Lexo po ashtu Faturimi i rrymës për komunat në veri, Rizvanolli: Elektroseverit i është dërguar kërkesa e fundit për nënshkrim - presim të ndodh brenda ditësh

Ajo më tutje kishte thënë se e kanë bërë të qartë se versioni i fundit i kontratës i cili i është dërguar Elektrosever disa muaj më parë, është versioni i fundit i marrëveshjes që duhet të nënshkruhet nga ata.

Ndryshe, sipas këtij udhërrëfyesi parashihet që të fillojë faturimi i energjisë elektrike në komunat në veri të vendit.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia nënshkruan Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Më 24 qershor, kompania serbe Elektrosever, ishte licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), për furnizimin me rrymë të qytetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për faturimin e tyre.

Por, pala kosovare kishte thënë se kjo kompani nuk i kishte plotësuar kushtet e dala nga Udhërrëfyesi, që do t’i mundësonin operimin në tregun e Kosovës.

BE-ja kishte shprehur shqetësimin për ritmin e ngadalshëm të zbatimit të Udhërrëfyesit për energji, që kërcënonte edhe të dështonte plotësisht marrëveshjen.  /Telegrafi/