LAJMI I FUNDIT:

Mospërmbushja e detyrimeve, Lajçak thotë se ka rrezik që t’i tërhiqet licenca Elektroserverit

Mospërmbushja e detyrimeve, Lajçak thotë se ka rrezik që t’i tërhiqet licenca Elektroserverit

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka theksuar rrezikun që t’i tërhiqet licenca kompanisë serbe Elektrosever për operim në veri të vendit, e paraparë në Udhërrëfyesin për Energjinë të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këtë deklaratë Lajçak e bëri pas takimit që pati sot në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësin e tij Besnik Bislimi.

Ai shtoi se duan që të gjejnë në zgjidhje për këtë çështje.

“Për energji jemi në proces të konsultimit, ka rrezik t’i tërhiqet licenca Elektroserverit, e nuk duam të ndodhë kjo. Për këtë ftuam në Bruksel gjithë aksionarët, si KEDS e Elekstroserver të hënën, ku kemi kaluar ditën duke diskutuar situatën. Ka qenë me rëndësi për mua t’i sjelli konkludimet e diskutimit te kryeministri e të bisedojmë rrugën para. Do të jem në Beograd të hënën me të njëjtin synim dhe agjendë. Dua të gjej zgjidhje”, ka thënë Lajçak.

Kujtojmë se nja javë më parë kanë kaluar 100 ditë nga koha kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) është dashur t’i lëshonte licencë kompanisë serbe Elektrosever për operim në veri të vendit.

Lidhur me këtë, ZRRE-ja në një përgjigje për Telegrafin ditë më parë kishte  thënë se janë duke vlerësuar procesin që del nga kjo marrëveshje.

“Aktualisht Zyra e Rregullatorit për Energji është në vlerësim të procesit të zbatimit nga palët të Udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë, të datës 21.06.2022”, thuhej në përgjigjen e ZRRE-së.

Marrëveshja Kosovë-Serbi për energjinë

Në pikën e 8-të të Marrëveshjes, është paraparë se, brenda 100 ditëve, në rast mos përmbushjes së detyrimeve, ZRRE-ja mund ta pezullojë licencën për Elektroseverin.

“Në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre Konkluzioneve të rënë dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, ZRRE mund të vendosë të pezullojë dhe/ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Elektrosever, me kusht që të konsultohen paraprakisht palët, lehtësuar nga BE-ja, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh. BE-ja do të japë një opinion ekspert, nëse kërkohet nga të paktën njëra nga palët”, thekson Marrëveshja.

Kosova dhe Serbia në Bruksel më 21 qershor kishin arritur të nënshkruajnë Marrëveshjen për Energjinë.

Kjo Marrëveshje ishte nënshkruar gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013, e që ishte konfirmuar në gusht të 2015-së. /Telegrafi/