U shpall non-grata në Shqipëri, Huduti: Kam humbur frikën, jo dinjitetin


Ikballe Berisha Huduti ka reaguar publikisht pas vendimit të autoriteteve shqiptare për ta shpallur “non-grata”, duke deklaruar se nuk ka asgjë për të humbur dhe se nuk i frikësohet atyre që i quan “zullumqarë”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Huduti tha se ka humbur prej kohësh frikën ndaj padrejtësive dhe se jeta e saj është udhëhequr nga bindjet për liri, drejtësi dhe dinjitet njerëzor.
Reagimi i saj vjen pasi Ministria e Brendshme e Shqipërisë vendosi t’i ndalojë hyrjen në territorin shqiptar për 15 vjet, me arsyetimin se aktiviteti i saj mund të cenojë interesat e sigurisë kombëtare, rendin publik dhe stabilitetin e vendit.
Ndryshe, Ikballe Huduti në vitin 2020 ishte arrestuar nga autoritetet në Kosovë pasi kishte dalë me një deklaratë publike kundër vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimanit.
Ajo ishte akuzuar për veprën penale “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste”.
Ndërkaq, në dhjetor të 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti Special kishte shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarës Ikballe Huduti për shkak të veprës penale “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste”.
Ikballe Huduti me vendimin unanim të trupit gjykues në këtë çështje penale ishte liruar nga akuza, për shkak se nga gjykata nuk ishin gjetur prova se e njëjta ka kryer veprën penale Shtytja për kryerjen e veprave terroriste nga neni 134 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për të cilën vepër ishte akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Lexoni të plotë postimin e saj, pasi sot është shpallur person non-grata në Shqipëri:
Një përgjigje jo për Ministrin Llamallari, por për një vëlla të shqetësuar që më dërgoji këtë lajm në what's app.
Paqe për ty Vëlla.
Po e di, vëlla i nderuar, e lexova këtë shkrim. S'kam çfarë të humb, sepse moti i kam humbur ato gjëra që zullumqarët mendojnë se unë kam vuajtur për to.
Krejt çka kam humbur është frika ndaj zullumqarëve, asgjë tjetër, sepse edhe shpirtin, edhe jetën, edhe zemrën time moti ia kam falur Dikujt që m'i ka falur.
Kam "humbur" nga kjo botë e "bukur" çdo të mirë, që nga dita kur e ngrita zërin kundër padrejtësisë në emër të lirisë humane dhe njerëzillëkut. U shkurorëzova nga kjo botë që nga dita kur e lexova poemën "Qerbelaja" të Naim Frashërit.
Jeta ime nuk do të kishte vlerë në këtë vend të shqiptarisë nëse unë nuk e kryej misionin tim, që ngjason me misionin e shehidëve të Qerbelasë.
Mjaft më me poshtërimet që më janë bërë nga zullumqarët e vendit tim, qoftë nga pushtetarët apo fetarët.
Më e mirë për mua është një vdekje me vlera dinjitoze sesa një jetë me poshtërime.
Të kam në dua, vëlla, edhe ju më keni në dua në këtë ditë të Ashuras. Kam nevojë për lutjet e secilit që dëgjon për padrejtësitë që më bëhen në këtë jetë. /Telegrafi/




































