LAJMI I FUNDIT:

U prehtë në paqe Rendi Liberal Botëror

U prehtë në paqe Rendi Liberal Botëror

Pas një vrapimi prej gati një mijë vjetësh, komentoi filozofi dhe shkrimtari francez Volter (Voltaire), Perandoria e Shenjtë Romake në rënie nuk ishte më as Romake dhe as perandori. Sot, rreth dy shekuj e gjysmë më pas, problemi, për të perifrazuar Volterin, është se rendi botëror liberal në zvenitje nuk është më as liberal, as botëror dhe as i rregullt.

Shtetet e Bashkuara, duke punuar ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar dhe të tjerët, krijoi rendin liberal botëror në fund të Luftës së Dytë Botërore. Objektivi ishte që të siguroheshin që kushtet që sollën dy luftëra botërore në 30 vjet të mos rishfaqeshin më kurrë.


Për këtë qëllim, vendet demokratike vendosën të krijojnë një sistem ndërkombëtar që ihste liberal në kuptimin që duhej të bazohej në sundimin e ligjit dhe në respektimin e sovranitetit të vendeve dhe integritetit të tyre territorial. Të drejtat e njeriut duhej të mbroheshin. Të gjitha këto duhej të zbatoheshin në të gjithë planetin; në të njëjtën kohë, pjesëmarrja ishte e hapur për të gjithë dhe vullnetare. Institucionet u ndërtuan për të promovuar paqen (Kombet e Bashkuara), zhvillimin ekonomik (Banka Botërore) dhe tregtinë e investimet (Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe ajo që më vonë u bë Organizata Botërore e Tregtisë).

E gjitha kjo u mbështet më shumë nga fuqia ekonomike dhe ushtarake e Shteteve të Bashkuara, një rrjeti aleancash nëpër Evropë dhe Azi, dhe armëve bërthamore, të cilat ndihmuan në parandalimin e agresionit. Rendi botëror liberal u mbështet në këtë mënyrë jo vetëm te idealet e përqafuara nga demokracitë, por edhe te pushteti i fortë. Asgjë nga këto nuk u kalua pa u vënë re në Bashkimin Sovietik, i cili ishte bindshëm jobliberal dhe që kishte një koncept tërësisht të ndryshëm për atë që përbën rend në Evropë dhe nëpër botë.

Rendi liberal botëror rezultoi më i shëndoshë se kurrë në fund të Luftës së Ftohtë dhe kolapsit të Bashkimit Sovjetik. Por sot, një çerek shekulli më vonë, e ardhmja është në dyshim. Në të vërtetë të tre komponentët – liberalizmi, universaliteti dhe ruajtja e rendit – janë sfiduar si kurrë më parë në historinë e 70 viteve të fundit.

Liberalizmi është në tërheqje. Demokracitë po ndjejnë pasojat e rritjes së populizmit. Partitë e ekstremeve politike kanë fituar terren në Evropë. Vota në Mbretërinë e Bashkuar në mbështetje të largimit nga BE vuri në pah rënien e ndikimit të elitave. Edhe SHBA po përjeton sulme të paprecedentë nga vetë presidenti i vendit mbi median, gjykatat dhe institucionet e zbatimit të ligjit.

Sistemet autoritariste, përfshirë Kinën, Rusinë dhe Turqinë, janë bërë më të rënda. Vende të tilla si Hungaria dhe Polonia duken të painteresuara për fatin e demokracive të tyre rinore.

Është gjithnjë e më e vështirë të flasësh për botën si një e tërë. Ne po shikojmë ngritjen e rendeve rajonale – ose, më e dukshme në Lindjen e Mesme, e kaoseve rajonale – secila me karakteristikat e veta. Përpjekjet për të ndërtuar kuadre botërore po dështojnë. Proteksionizmi është në ngritje; raundi i fundit i bisedimeve botërore për tregti nuk dha kurrë rezultate. Dhe ka pak rregulla që qeverisin hapësirën kibernetike.

Në të njëjtën kohë, rivaliteti mes fuqive të mëdha po rikthehet. Rusia dhunoi normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare kur përdori forcat e armatosura për të ndryshuar kufijtë në Evropë, dhe dhunoi sovranitetin e SHBA-së përmes përpjekjeve për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016. Koreja e Veriut ka kundërshtuar një konsensus të fortë ndërkombëtar kundër përhapjes së armëve bërthamore. Bota ka qëndruar mënjanë ndaj tmerreve humanitare në Siri dhe Jemen, duke bërë shumë pak në OBK apo gjetkë në përgjigje ndaj përdorimit të armëve kimike nga qeveria e Sirisë.

Venezuela është një shtet i dështuar. Një në çdo njëqind njerëz në botë sot është ose refugjat ose i zhvendosur brenda vendit të vet.

Ka shumë arsye se pse e gjitha kjo po ndodh dhe pse tani. Rritja e populizmit është pjesërisht në përgjigje të të ardhurave në stanjacion dhe humbjes së vendeve të punës, më së shumti për shkak të teknologjive të reja por gjerësisht i është atribuuar importeve dhe emigrantëve. Nacionalizmi është një mjet gjithnjë e më i përdorur nga udhëheqësit për të fuqizuar autoritetin e tyre, veçanërisht në mes të kushteve të vështira ekonomike dhe politike. Dhe institucionet botërore kanë dështuar të adaptohen me balancat e reja të pushtetit dhe teknologjitë.

Por dobësimi i rendit liberal botëror është shkaktuar, më shumë se nga çdo gjë tjetër, nga ndryshimi i sjelljes së SHBA-së. Nën presidentin Donald Trump, SHBA ka vendosur të mos bashkohet me Partneritetin Trans-Paqësor dhe të tërhiqet nga marrëveshja e Parisit për klimën. Ajo ka vendosur në mënyrë të njëanshme tarifa mbi çelikun dhe aluminin, duke u mbështetur në një justifikim (siguria kombëtare), të cilin mund ta përdorin edhe të tjerët, në një proces që mund ta vendosë botën në rrezik të luftërave tregtare. Ajo ka ngritur pikëpyetje mbi angazhimin e vendit në NATO dhe në aleancat e tjera. Dhe ajo rrallë flet për demokracinë apo të drejtat e njeriut. Sllogani “Amerika e Para” dhe rendi botëror liberal duken të papajtueshme.

Argumenti im është se nuk duhet që thjeshtë SHBA të nxirret mënjanë për t’u kritikuar. Edhe fuqitë e tjera të sotme, përfshirë BE-në, Rusinë, Kinën, Indinë dhe Japoninë, mund të kritikohen për atë që po bëjnë, apo nuk po bëjnë, apo të dyja. Por SHBA nuk është thjeshtë njësoj si çdo vend tjetër. SHBA ishte arkitekti kryesor i rendit botëror liberal dhe mbështetësi kryesor i këtij rendi. SHBA ishte edhe përfituesi kryesor.

Vendimi i Amerikës për të braktisur rolin që ka luajtur për më shumë se shtatë dekada përbën për rrjedhojë një pikë kthese. Rendi liberal botëror nuk mund të mbijetojë më vete, për shkak se të tjerët nuk kanë as interes dhe as mjete për ta mbajtur atë. Rezultati do të jetë një botë më pak e lirë, më e varfër dhe më pak paqësore, si për Amerikanët ashtu edhe për të tjerët. /Project Syndicate/reporter.al/