LAJMI I FUNDIT:

Twitter do t’i lejojë disa punonjës të punojnë nga shtëpia, ndoshta përgjithmonë

Twitter do t’i lejojë disa punonjës të punojnë nga shtëpia, ndoshta përgjithmonë

Drejtori i Përgjithshëm i Twitter, Jack Dorsey, u dërgoi mesazhe punonjësve të martën duke u thënë atyre se do të lejohen të punojnë nga shtëpia përgjithmonë, edhe pasi të kalojë bllokimi i pandemisë së coronavirusit.

“Ne kemi qenë duke menduar gjatë që nga koha kur ishim një nga kompanitë e para që kaluam në një model pune nga shtëpia”, tha një zëdhënës i Twitter për BuzzFeed News. “Ne do të vazhdojmë të jemi dhe do të vazhdojmë ta vendosim të parën sigurinë e njerëzve dhe komuniteteve tona”.


Ndryshe, Twitter inkurajoi punonjësit e saj të fillojnë punën nga shtëpia në fillim të marsit kur coronavirusi filloi të përhapet në SHBA, përcjell Telegrafi.

Gjithashtu, edhe disa kompani të tjera të teknologjisë bënë të njëjtën gjë, duke përfshirë Microsoft, Google dhe Amazon.

Atë muaj, kreu i burimeve njerëzore në Twitter, Jennifer Christie, i tha BuzzFeed News se kompania “kurrë nuk do të ishte e njëjtë” në strukturën e punës së saj.

“Njerëzit të cilët ishin të vendosur për të punuar nga distanca, do të zbulojnë se ata me të vërtetë ‘lulëzojnë’ në këtë mënyrë”, ka thënë Christie. “Menaxherët që nuk mendojnë se mund të menaxhojnë ekipe në largësi do të kenë një perspektivë tjetër. Unë mendoj se ne nuk do të kthehemi prapa më”.

Dorsey kishte njoftuar qëllimin e kompanisë për të punuar në një mënyrë “të shpërndarë” përpara virusit, por pandemia ka detyruar kompaninë të lëvizë afatin kohor.

Në e-mailin e tij, Dorsey tha se nuk ka të ngjarë që Twitter të hapë zyrat e tij përpara shtatorit, dhe se udhëtimet do të anuloheshin deri atëherë, me shumë pak përjashtime.

Kompania gjithashtu do të anulojë të gjitha ngjarjet të cilat nevojitet kontakti i personave për pjesën tjetër të vitit dhe do të rivlerësojë planin e saj për 2021 më vonë këtë vit. /Telegrafi/