LAJMI I FUNDIT:

Turpi dhe marria e disa “komandantëve” të bllacës!

Turpi dhe marria e disa “komandantëve” të bllacës!

1. Është absurde gara për të fituar statusin e veteranit, pjesëtarit apo pjesëmarrësit të UCK-së, pa qenë fare të tillë! Është absurde dhe paradoksale edhe për arsye se sjellja e tillë indolente çon një mesazh shumë të keq për qytetarë se edhe në luftë paskan bërë hile dhe se aty (disa pre këtyre matrapazëve) paskan qenë aksidentalisht!

2. Është gjithashtu turp i madh futja në lista e njerëzve të politikës, biznesmenëve, e familjarë komandantësh pa qenë fare në luftë! Edhe më absurde dhe më e turpshme është shpallja e njerëzve si molla(!) invalidë të luftës! Të hysh në konkurrencë me njerëz që kanë humb gjymtyrë, pasuri e edhe jetën për idealin e lirisë është kulmi i paturpësisë! Apo edhe më keq: t’i fusësh në lista akrabatë, miqtë, klientelistët, në cilësinë e vendimmarrësit (lexo;komandantit!), kur dihet botërisht se të njëjtit as me një xhygym uji s’i kanë kontribuar luftës së vitit 1998-99!


3. Kjo dëshmon paradoksin e keqinterpretimit të qëllimshëm të një soji të mentalitetit tonë social për situatën dhe atmosferën historike, siç ishte ajo e vitit 1999, ngase, sikur të ishin gjithë këta "pjesëmarrës", "invalidë" e "luftëtarë" të sakrifikuar për lirinë e Kosovës, jam shumë i bindur që s’do kishim nevojë fare për NATO-n!

4. Si mund të shpjegohet që sakrifikuesit e vërtetë (të vdekurit, të sakatosurit, të traumatizuarit) kundruall matrapazëve të mos mund të "dëshmojnë" sakrificën e tyre sublime! Sakrifikuesit të jenë më të prirë të bëjnë vetëvrasje (nga zhgënjimi i komandantë të Bllacës!), kurse matrapazët të notojnë në luks! Kjo s’mund të shquhet me turp, por, marri!

5. Është marri edhe për një fakt të thjeshtë se kjo kategori e maskarenjve (që u hynë në hak atyre që vërtetë pësuan në vitin 1999) sot po mundohet ta personifikojë, identifikojë, madje edhe ta legjitimojë(!) frymën e qytetarisë dhe lirisë përmes pushtetit të korruptuar! Thuajse as demokracia, as liria e as shteti s’mund të ndërtohet e pale edhe të imagjinohet pa ta!