eksperti ad

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se do të vazhdojë përpjekjet për të kufizuar të drejtën e shtetësisë automatike për personat e lindur në territorin amerikan, pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme kundër urdhrit të tij ekzekutiv.

Në një reagim të publikuar në platformën Truth Social, ai e cilësoi vendimin si “të keq për vendin” dhe tha se ndryshimet mund të realizohen përmes Kongresit, pa qenë i nevojshëm një amendament kushtetues.


“Kongresi duhet të fillojë SOT punën për t’i dhënë fund shtetësisë në lindje, e cila është e kushtueshme dhe e padrejtë për vendin tonë. Ata do të kenë mbështetjen time të plotë dhe totale”, shkroi 80-vjeçari.

Vendimi i Gjykatës Supreme përbën një pengesë për përpjekjen e presidentit amerikan, i cili kishte synuar të ndryshonte përmes një urdhri ekzekutiv një parim të njohur prej më shumë se një shekulli në SHBA, sipas të cilit shumica e personave të lindur në territorin amerikan fitojnë automatikisht shtetësinë.

Trump më herët kishte sinjalizuar se mund të kërkonte rrugë të tjera për ta çuar përpara këtë nismë.

Ai shpesh ka përdorur urdhrat ekzekutivë për të zbatuar politikat e tij, por në këtë rast do të duhet të sigurojë mbështetje në Kongres për një ndryshim ligjor.

Debati për shtetësinë në lindje mbetet një nga çështjet më të diskutueshme në politikën amerikane, duke ndarë opinionin publik dhe ligjvënësit mes atyre që kërkojnë kufizime më të ashpra dhe atyre që mbrojnë rregullat aktuale kushtetuese. /Telegrafi/