LAJMI I FUNDIT:

Trump reagon ndaj Bankës Botërore: Mjaft i huazuat para Kinës

Trump reagon ndaj Bankës Botërore: Mjaft i huazuat para Kinës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka bërë thirrje që Banka Botërore të ndalojë huazimin e parave për Kinën, një ditë pasi institucioni miratoi një plan kredie për Pekinin për kundër kundërshtimeve të Washingtonit.

Banka Botërore miratoi një plan për të ndihmuar Kinën me 1.5 miliard dollarë kredi me interes të ulët çdo vit deri në qershor të 2025-së. Plani kërkon që kreditimi të “ulet gradualisht” nga mesatarja e mëparshme pesëvjeçare prej 1.8 miliardë dollarë.


“Pse Banka Botërore po i huazon para Kinës? A mund të jetë e mundur kjo? Kina ka shumë para dhe nëse i nevojiten të tjera, ata i krijojnë ato. STOP!”, ka shkruar Trump në Twitter.

“Huadhënia e Bankës Botërore për Kinën ka rënë ndjeshëm dhe do të vazhdojë të zvogëlohet si pjesë e marrëveshjes sonë me të gjithë aksionarët tanë përfshirë Shtetet e Bashkuara. Ne eliminojmë huadhënien ndërsa vendet bëhen më të pasura”, tha Banka Botërore për Reuters.

Banka Botërore ia huazoi Kinës 1.3 miliard dollarë në vitin fiskal 2019, e cila përfundoi më 30 qershor, me një rënie nga rreth 2.4 miliardë dollarë që ishte në vitin fiskal 2017.

Por rënia e huave të Bankës Botërore për Kinën nuk është e shpejtë sa duhet për Administratën Trump, e cila ka argumentuar se Pekini është shumë i pasur për ndihmë ndërkombëtare. /Scan/