LAJMI I FUNDIT:

Trump “nuk zmbrapset” nga propozimi i tij për murin me Meksikën

Trump “nuk zmbrapset” nga propozimi i tij për murin me Meksikën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se nuk do të zmbrapset nga propozimi i tij për ndërtimim e murit në kufi me Meksikën, edhe pse një gjë e tillë çoi në mbyllje të pjesshme të Qeverisë amerikane.

Trump refuzon të nënshkruajë buxhetin që nuk përfshin fonde për murin, ndërsa demokratët janë kundër.


Ai ka thënë se mund të shpallë një emergjencë kombëtare për të ndërtuar një mur kufitar SHBA-Meksikë pa miratimin e Kongresit.

Dhoma e Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga demokratët, ka miratuar një ligj për rihapjen e qeverisë, por Senati, me shumicë republikane, e ka refuzuar atë.

Rreth 800,000 punonjës federalë kanë mbetur pa paga qysh më 22 dhjetor.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dhe udhëheqës të tjerë të Kongresit nga të dyja partitë i vazhduan negociatat me Trumpin të premten.

Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, ka thënë se ata nuk do të mbështesin masa që nuk i mbështet presidenti Trump.

Gazeta Washington Post raportoi të premten se, pavarësisht mbylljes së pjesshme të qeverisë, sekretarët e kabinetit të presidentit, kryeadministratorët dhe nënpresidenti Mike Pence pritet të kenë rritje vjetore të pagës për 10,000 dollarë.