LAJMI I FUNDIT:

Trump kërcënon me tarifa 200% për alkoolin evropian ndërsa lufta tregtare vazhdon të përshkallëzohet

Trump kërcënon me tarifa 200% për alkoolin evropian ndërsa lufta tregtare vazhdon të përshkallëzohet

Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi të enjten se do të vendoste një tarifë masive për alkoolin evropian në përgjigje të hakmarrjes së Bashkimit Evropian ndaj tarifave të tij të çelikut dhe aluminit.

Në një postim në Truth Social, Trump tha se administrata e tij do të vendosë një tarifë 200% për pijet alkoolike nga BE-ja, nëse ajo nuk anulon tarifën prej 50% që qeveria evropiane vendosi të mërkurën për pijet alkoolike amerikane, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Nëse kjo tarifë nuk hiqet menjëherë, SHBA-ja së shpejti do të vendosë një tarifë 200% për të gjitha verërat, shampanjën dhe produktet alkooloke që vijnë nga Franca dhe vendet e Be-së”, tha Trump.


“Kjo do të jetë e mrekullueshme për bizneset e verës dhe shampanjës në SHBA”.

Përgjigja e SHBA-së ndaj përgjigjes së Evropës ndaj tarifave të Amerikës në harkun kohor prej 36 orësh tregon se si luftërat tregtare mund të dalin shpejt jashtë kontrollit.

Pasi tarifat 25% të Trump për aluminin dhe çelikun hynë në fuqi mesnatën ndërmjet të martës dhe të së mërkurës, BE-ja u hakmor menjëherë kundër asaj që e quajti një veprim “të pajustifikuar” tregtar nga administrata Trump.

Kundërmasat e BE-së përfshinin tarifa për mallrat amerikane me vlerë 26 miliardë euro (28 miliardë dollarë).

Masat, të cilat janë vendosur të hyjnë në fuqi në prill, janë “të shpejta dhe proporcionale”, është thënë në një deklaratë.

Industria amerikane e pijeve alkoolike tha të mërkurën se po përgatitej për pasojat nga tarifat hakmarrëse. /Telegrafi/