eksperti-banner

Kompania Rajonale e Mbeturinave "Pastrimi" ka ngritur shqetësimin për ndotjen e vazhdueshme të hapësirave publike në fshatin Trudë, pavarësisht aksioneve të përsëritura të pastrimit të kësaj zone.

Përmes një reagimi publik, kompania ka bërë të ditur se vendi në fjalë është pastruar edhe më herët, por se qytetarë të papërgjegjshëm vazhdojnë të hedhin mbeturina, duke rikthyer të njëjtën gjendje.


"Trudë. Nuk është hera e parë që pastrohet, por përsëri po mbushet me mbeturina", thuhet në reagimin e KRM "Pastrimi".

Kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos hedhin mbeturina në hapësira publike, duke paralajmëruar se ndaj shkelësve do të ndërmerren masa ndëshkuese.

"Ju lusim qytetarë, mos hidhni mbeturina në hapësira publike. Do të gjobiteni 500 euro dhe do të publikojmë fotografinë e juaj duke hedhur mbeturina", thuhet më tej në njoftim.

KRM "Pastrimi" ka apeluar për më shumë ndërgjegjësim qytetar dhe respektim të rregullave për ruajtjen e pastërtisë, duke theksuar se bashkëpunimi i të gjithëve është i domosdoshëm për mbrojtjen e mjedisit dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike. /Telegrafi/