LAJMI I FUNDIT:

Trialogu

Trialogu

Në fillim ishte monologu. Ne flisnim vetë me vete, mbanim debate për paqe, liri dhe pavarësi, për marrëveshje me serbët, por serbët nuk na dëgjonin nga zhurma që asokohe po e prodhonin. Një milion serbë në Gazimestan dhe diçka më pak në “Ushqe” në Beograd, e kishin bërë liderin “qëllimmirë” serb, Millosheviq, të besonte se popujt e ish-Jugosllavisë nuk ishin palë për dialog, nuk kishin forcë, dhe duheshin shkelur me forcën e ish APJ-së e cila edhe përkundër emrit të vjetër ishte shndërruar tashmë në një Ushtri serbe dhe po e zbatonte planin serb, për një Jugosllavi unitare që ishte veç eufemizëm për Serbinë e madhe.

Pastaj, emisari amerikan Holbrooke i zbathi këpucët në Junik, u ul në krah me “terroristët” për të hapur një faqe të re të historisë, e cila do të largonte përfundimisht Serbinë nga Kosova. Dialogu vazhdoi në Rambuje dhe më pas në forma të ndryshme, për të arritur shumë pak, edhe 20 vjet pas, përpos një paqeje të brishtë e cila i dha kohë Serbisë të konsolidohej.


Me përfshirjen e SHBA-së, gjithçka kishte ndryshuar, sidomos me faktin se një zyrtar i lartë amerikan kishte njohur si palë, “rebelët” e UÇK-së, dhe që nga ajo kohë Serbia nuk arriti të delegjitimojë më palën kosovare, me të cilën nuk donte dialog, por i njëjti i imponohej. Mbizotërimi evropian dhe avancimi i elementeve proruse në rrethet e bisedimeve, patën bërë që bisedimet të degradojnë duke u shndërruar në një paradë euro-politikanësh pa pushtet, të cilët shpeshherë konfrontoheshin dhe promovonin ide e qëndrime edhe kundër vet vendeve më të fuqishme të BE dhe SHBA.

Rikthimi i SHBA-së në dialogun shqiptaro-serb, i cili tashmë kishte degraduar në provokime, në kërcënime e grindje, nuk arriti menjëherë ta rikthejë seriozitetin dhe mbarësinë në dialog, për shkak të pozicionimeve të ashpra, sidomos të palës serbe e cila po blinte kohë dhe po shpresonte në procesin e shthurjes të idesë së integrimeve evropiane, të konceptit të shteteve shumë etnike, si dhe në rikthimin e fuqishëm në skenë të aleates historike të saj Rusisë, e cila u faktorizua sërish si lojtare globale në Siri dhe të njëjtën po e synon edhe në Ballkan.

Tash jemi në situatë kur Serbia ka vënë kushte për vazhdim të dialogut, dhe një nga këto kushte është heqja e taksës të cilën Qeveria e Kosovës e ndërmori si kundërmasë, e vetëdijshme se me këtë masë politike në fakt, po shkelte marrëveshjen për tregti të lirë në rajon. Duke u nisur nga parimi ligjor dhe politik se me atë që nuk të njeh nuk ke obligime, kjo nuk është se tingëllon keq, aq më tepër kur ke përpara një kalkulues bizantin i cili shfrytëzon çdo mundësi, madje edhe të bjerë në gjunjë para Kinës së largët vetëm për të ruajtur territoret e okupuara 100 vjet më parë.

Rikthimi i SHBA-së në skenë, do të sjell sërish ndryshim. Edhe pse nuk ishte drejtpërdrejtë në dialog, hija e saj dhe përkrahja e saj ndaj Kosovës, bënte që fjala e Kosovës të kishte peshë përtej potencialeve të saj ekonomike dhe ushtarake, dhe paralajmërimet e SHBA-së për kyçje të drejtpërdrejt, sollën seriozitet në rrafshin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, edhe pse ato tashmë kishin degraduar në akuza reciproke dhe në destruksion.

Në fakt, Serbia në Kosovë po sillej si qendër politike, duke manipuluar me faktorin serb të rebeluar i cili mbahej në qeverisje dhe prej tyre vareshin edhe numrat në Parlament. Serbia diktonte paqen dhe politikën në Kosovë dhe kjo vërtetohej edhe me krizat e herëpashershme që krijoheshin nga tandemi presidencial Thaçi-Vuçiq.

Defilimi dhe përqafimet para kamerave me komesaren Mogherini, vetëm mbulonin pafuqinë e diplomacisë së lartë evropiane. E rrënuar, e mohuar nga Qeveria kosovare, ajo nuk hoqi dorë nga “tandemi” presidencial dhe ideja e ndryshimit të kufijve, duke treguar gatishmërinë që edhe të mbyllej me dy liderët, me muaj po të jetë nevoja, derisa të arrihej një marrëveshje përfundimtare. Ajo, me metodat, oratorinë dhe prirjen për anime dhe marrëveshje të fshehta humbi besimin e palës shqiptare.

Çka po ndodhë në kohën kur dialogu po mbahet peng nga taksa, e cila duhet pranuar se ndaloi arrogancën serbe dhe të gjitha shantazhet serbe, prej atyre më banale deri te ato më kreative të cilat ajo i përmblodhi në një refuzim dialogu deri me heqjen e taksës.

A ia vlen të rikthehet gjithçka në pozita të tilla fillestare dhe popujt të rijetojnë dramën e (pas)luftës? A nuk është tashmë për gjithkënd e dukshme përpjekja e Serbisë për të bllokuar qytetarët e Kosovës, përmes një rrethimi mesjetar, të përkrahur kësaj radhe edhe nga qarqe të lobimit euroaziatik në Evropë?

E vetmja zgjidhje duket se mbetet që dialogu të marrë formën e trialogut, ku palë ndërmjetësuese, garantuese, e në momente mbase edhe imponuese do të jenë vet SHBA, e vetmja fuqi e kohës e cila nuk është e ngarkuar me elemente etnike dhe religjioze, dhe e cila mundet të garantojë edhe implementimin e çfarëdo marrëveshjeje që do të arrihej mes palëve.

Po taksa?

Taksa nuk do të jetë pengesë dhe nuk është pengesë reale për trialog. Nëse SHBA-të nuk kanë fuqi të ulin Serbinë në tavolinë, edhe përkundër taksës, dhe me motivim që taksa të hiqet sa më shpejt dhe marrëdhëniet të normalizohen, atëherë as trialogu nuk do të ishte i efektshëm. Por, SHBA-të e kanë këtë fuqi dhe heqja dorë prej kushteve do të thoshte se Serbia do vërtetë marrëveshje.

Palët duhet të ulen në tavolinë pa kushte dhe duhet të gjejnë interesin e përbashkët në rrugën euroatlantike. Derisa Kosova dhe Serbia të mos arrijnë një marrëveshje të përhershme, edhe kufijtë e Evropës në jug dhe në lindje do të jenë të paqëndrueshëm, jo se kjo varet nga këto dy vende, por konflikti mes tyre dhe mes shqiptarëve dhe serbëve në rajon hapë dyert e fuqive euroaziatike drejt rajonit dhe tutje! Ky është interes vital i SHBA, dhe mënyra më e sigurt është që shqiptarët dhe serbët të jenë në të njëjtën anë, dhe kjo mund të arrihet vetëm në një tavolinë bisedimesh me tri karrige.