Bekim Dalipi

Për shumë vite, aktiviteti politik i partive kosovare në diasporë ishte i kufizuar. PDK, LDK dhe AAK kishin struktura dhe aktivistë në Zvicër, por me kalimin e kohës aktiviteti i tyre u zbeh. Debatet politike ekzistonin, por rrallëherë dominonin jetën e përditshme të mërgimtarëve.


Shumica e shqiptarëve në diasporë merreshin me familjen, biznesin, integrimin në shtetet ku jetonin dhe ruajtjen e lidhjeve me Kosovën. Kjo ka ndryshuar dukshëm gjatë viteve të fundit.

Me rritjen e Vetëvendosjes, është rritur edhe angazhimi politik i diasporës. Kjo ka sjellë energji të re politike, por njëkohësisht ka sjellë edhe polarizim të madh.

Sot, në shumë raste, debati politik nuk zhvillohet më rreth programeve, investimeve, arsimit apo ekonomisë. Ai zhvillohet rreth ndarjeve mes “të mirëve” dhe “të këqijve”, mes “patriotëve” dhe “tradhtarëve”, mes “të ndershmëve” dhe “hajnave”.

Kjo është ndoshta pasoja më e dukshme e politikës së viteve të fundit.

Pjesëmarrja në zgjedhje është e drejtë demokratike, por pyetja është: për çfarë po votohet - për një program ekonomik, për një reformë në arsim, për investime apo për zhvillim?

Mirëpo, jo - këto nuk duken dhe nuk janë temë e votuesit të diasporës.

Diaspora shkon sot në Kosovë në turma me tupan e daulle për ta mundur armikun politik qe ia ka trasuar politika e ndarjes e përçarjes.

Përshtypja që krijohet shpesh është se një pjesë e votuesve mobilizohen më shumë nga zemërimi ndaj kundërshtarit sesa nga bindja për një program konkret. Kjo nuk është e shëndetshme për asnjë demokraci. Kosova ka nevojë për konkurrencë mes ideve dhe programeve, jo për luftë të përhershme mes kampeve politike.

Ndërkohë që debati politik bëhet gjithnjë e më emocional, problemet reale të diasporës mbeten të njëjtat sikur janë mësimi plotësues në gjuhën shqipe; vendet e rezervuara në Kuvend, ruajtja e lidhjes së brezit të tretë me Kosovën.

Kosova është vendi më i varur i Evropës nga remitencat e diasporës, sidomos te Zvicrës, por diaspora ende nuk ka ligj për vende të rezervuara për deputetët nga diaspora, siç e ka Italia, Franca, Kroacia apo Portugalia që kanë vende të rezervuara për diasporën e tyre, ndonëse nuk kanë varësi nga remitencat e diasporës. Kosova jo. Megjithatë, kjo temë rrallë bëhet pjesë e debateve kryesore politike.

Ne që i përkasim gjeneratës së parë dhe të dytë kemi lindur ose kemi jetuar në Kosovë. Ne kemi kujtime, familje dhe lidhje të drejtpërdrejta me vendin. Por, fëmijët tanë janë ndryshe. Ata kanë lindur në Zvicër. Kosovën e njohin përmes pushimeve verore.

Nëse gjithçka që shohin nga Kosova është konflikt politik, gjuhë përçarëse dhe ndarje të pafundme, atëherë rreziku është që me kalimin e viteve të mos e ndjejnë më Kosovën si pjesë të identitetit të tyre.

Kjo është shumë më e rrezikshme se çdo humbje zgjedhore.

Pikërisht për këtë arsye, kandidatët që vijnë nga diaspora kanë përgjegjësi të veçantë. Ata nuk duhet të jenë vetëm zëdhënës të partive të tyre në Zvicër. Ata duhet të jenë zëri i diasporës brenda partive të tyre. Në këto zgjedhje nëse ndonjëri nga kandidatët - VV: Bajram Mehmetaj; PDK: Haki Morina, Shaip Kadriaj, Argjent Tasholli, Isak Neziri dhe Besim Morina; LDK: Hysen Çeku, Robert Ukaj dhe Bajram Mehmeti; AK: Bajram Mulaj, Nezir Gashi, Tahir Çitaku dhe Herolinda Avdili Rexhepi - fitojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës, pyetja nuk duhet shtruar nga cila parti vijnë. Pyetja është nëse pas zgjedhjeve do të flasin për interesat e diasporës apo vetëm për interesat e partive të tyre. A do të kërkojnë përfaqësim më të madh për diasporën? A do të kërkojnë vende të rezervuara në Kuvend? A do të merren me shkollat shqipe, investimet dhe brezat e rinj? Apo do të vazhdojnë të ushqejnë ndasitë që tashmë janë krijuar?

Mërgata ka qenë gjithmonë më e madhe se partitë politike. Ajo ka ndihmuar Kosovën kur nuk kishte institucione, kur nuk kishte qeveri dhe kur nuk kishte shtet. Prandaj, nuk duhet të reduktohet në një ushtri virtuale të asnjë partie. Detyra e diasporës nuk është të luftojë betejat e përditshme të politikanëve. Detyra e saj është të kërkojë llogari nga të gjithë - nga pushteti dhe nga opozita. Nga ata që kanë qeverisur dje dhe nga ata që qeverisin sot.

Sepse në fund të fundit partitë vijnë e shkojnë. Kosova mbetet. Dhe diaspora duhet të mbetet në anën dhe interesin e Kosovës dhe jo në anën dhe interesin e partive.

(Autori është redaktor i platformës albinfo.ch në Zvicër)