LAJMI I FUNDIT:

Tri vjet qeverisje, Kurti mburret me arritjet në ekonomi: Kemi dyfishuar numrin e të rinjve të punësuar

Tri vjet qeverisje, Kurti mburret me arritjet në ekonomi: Kemi dyfishuar numrin e të rinjve të punësuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në trevjetorin e qeverisjes së kabinetit të tij me vendin, ka prezantuar arritjet në sektorin ekonomik duke numëruar sukseset e arritura.

Kreu i ekzekutivit, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se punësimi është më i lartë se çka qenë ndonjëherë.


“Ka dyfish më shumë të rinj të punësuar në treg të punës se kur e morëm detyrën. Afër 10 mijë të rinj mes moshës 18-29 vjeç janë punësuar përmes platformës qeveritare Superpuna. Mbi 12 mijë gra janë punësuar përmes masave dhe mbështetjes sonë direkte. Eksportet dhe Investimet e Huaja Direkte janë dyfishuar”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.

“Në tri vjet qeverisje rishpërndamë rreth 1.2 miliard euro te qytetarët dhe bizneset përmes masave të shumta, pa krijuar borxhe të reja. Kemi pasur pakon më të madhe mbështetëse në rajonin e Ballkanit për qytetarë në ballafaqim me inflacionin dhe krizën energjetike, si përqindje e Bruto Produktit Vendor sipas Raportit të Bankës Botërore. Shpenzimet kapitale në vitin e kaluar shënuan vlerë rekord prej 555 milionë euro të ekzekutuara. Ndërkohë që borxhin publik e kemi në nivelin më të ulët në Evropë”, ka shkruar ai.

Më tej ai ka thënë se “në vitin 2020 faturat e papaguara nga qeveritë e kaluara për mallra dhe shërbime që kanë marrë nga bizneset kanë qenë në vlerë prej 140 milionë euro. Në fund të vitit të kaluar ky borxh është ulur në vetëm 33 milionë”.

“Qarkullimi i bizneseve në vitin 2023 ishte për 58% më i lartë se ai në vitin 2019, vit parapandemik. Bruto Produkti Vendor ka arritur vlerën 9.6 miliardë euro, nga 6.7 miliardë euro sa ishte kur morëm qeverisjen nën drejtim – pra 3 miliardë euro më shumë për tri vjet qeverisje, me deficit minimal. Qeverive në të kaluarën u duhej tri vjet kohë për t’ia shtuar 1 miliard euro ekonomisë, dhe atë përmes borxheve dhe shfrytëzimit të fondeve të mbledhura nga privatizimi”.

“Për këto e më shumë, jemi krenar dhe ballëhapur. Tre vjet pas, entuziazmi i qytetarëve për qeverinë tonë është vullneti ynë për të shërbyer. Besimi i tyre për qeverinë tonë është vlerësimi më i lartë për punën e deritanishme dhe frymëzimi për punën që vazhdon”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/