Të paktën tetë persona u vranë dhe 32 të tjerë u lënduan në kryeqytetin e Tajlandës, pasi një tren mallrash goditi një autobus në një kalim hekurudhor.

Zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit shkuan në vendngjarje ndërsa flakët përfshinë autobusin publik dhe automjetet e afërta pranë stacionit Makkasan të Airport Rail Link në Bangkok.


Raportet paraprake treguan se autobusi kishte ndaluar në shina në semaforin e kuq, duke penguar mbylljen e barrierave të kalimit.

Treni nuk mundi të ndalonte në kohë për të shmangur përplasjen.

Disa motoçikleta dhe drejtuesit e tyre ishin përfshirë gjithashtu në aksident.

Ekipet e shpëtimit punuan për të nxjerrë viktimat nga rrënojat, ndërsa ekipet e zjarrfikësve u përpoqën të shuanin flakët.

Ndryshe, rrugët e Tajlandës janë ndër më vdekjeprurëset në botë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për shkak të zbatimit të dobët të standardeve të sigurisë. /Telegrafi/