LAJMI I FUNDIT:

Tregtia dhe investimet, marrëdhëniet e biznesit Kosovë-Shqipëri larg potencialit real

Tregtia dhe investimet, marrëdhëniet e biznesit Kosovë-Shqipëri larg potencialit real

Viti 2023 ka nisur me një rritje të fortë të shkëmbimeve tregtare Shqipëri-Kosovë, me 31% rritje të eksporteve dhe dyfishim të importeve. Por sërish, në gjeografinë e tregtisë së jashtme, dy shtetet kanë një peshë të vogël në ekonominë e njëra-tjetrës, me vetëm 471 milionë euro shkëmbime në vit.

Të ulëta janë në numër edhe kompanitë apo sipërmarrësit që shkojnë për të investuar nga Shqipëria drejt Kosovës apo anasjelltas, shifra që sipas ekspertëve janë shumë larg potencialit real.


Në raftet e supermarketeve në Kosovë apo Shqipëri gjen produkte importi nga e gjithë Evropa, por ato të njëra-tjetrës janë të rralla.

Për sipërmarrësin Safet Gërxhaliu, dy ekonomitë janë plotësuese të njëra-tjetrës dhe bashkëpunimi mund të rrisë ndjeshëm sigurinë e furnizimit me mallrat dhe shërbime.

Eksperti Erton Bega vlerëson se ndërtimi i Rrugës së Kombit ka lejuar rritjen e shkëmbimeve tregtare, ndërsa projekti për hekurudhën mund të konsolidojë më tej këtë lidhje. Por nga ana tjetër, të dy shtetet kanë nevojë të heqin të gjitha barrierat tregtare, pasi do të çlironte jo vetëm tregtinë, por edhe investimet.

Ekspertët vënë në pah edhe mungesën e një dhome të përbashkët tregtare Shqipëri-Kosovë, ndërsa theksojnë se politika duhet të luajë rolin e kundërt që ka bërë deri më sot, duke shtyrë drejt bashkëpunimit.