Tre “korçarë” në miqësoren e Përfaqësueses së Kosovës

Ajo që bie në sy në listën e të ftuarve për këtë ballafaqim nga trajneri Albert Bunjaki është emri i tre lojtarëve të Skënderbeut. Bëhet fjalë për ekipin kampion të Shqipërisë, i cili ka bërë historinë e klubeve shqiptare, duke marrë pjesë për herë të parë në fazën e grupeve të Ligës së Europës.
Faqja zyrtare e Skënderbeut ka bërë të ditur se Bajram Jashanica, Leonit Abazi dhe Bernard Berisha do të jenë pjesë e kombëtares kosovare për këtë miqësore. Të tre janë lojtarë të spikatur në formacionin e Mirel Josës. Bernard Berisha, madje, është nën vëzhgimin edhe të De Biazit, teksa ka treguar rritje të konsiderueshme gjatë këtij sezoni futbollistik, një anësor i majtë i papërmbajtshëm, i shpejtë, driblues dhe me përgatitje të lartë fizike, transmeton telesport.
Kjo nuk u ka shpëtuar as menaxherëve të klubeve të huaja, që e kanë në “shënjestër” 22-vjeçarin. Nuk është çudi që në merkaton e janarit, Berishën ta shohim në ndonjë klub të huaj, ndërkohë që janë zbuluar deri më tani interesimet e Duisburgut, Standart Liezhit dhe Anderlechtit për të.

















































