LAJMI I FUNDIT:

Tre dekadat shqiptare, mbas rënies së Murit të Berlinit

Tre dekadat shqiptare, mbas rënies së Murit të Berlinit

Pikërisht sot tridhjetë vjet ra Muri i Berlinit e bashkë me të ra edhe kampi komunist, nga i cili më të gjymtuarit dolën shqiptarët në Gadishullin e Madh. Për fatkeqësinë e tyre, edhe tridhjetë vjet mbas rënies së Murit të Berlinit, komunizmi më shumë se koncept është ngulitur si bindje politike në trurin e shumicës prej tyre.

Mjafton të vizitosh këto ditë kryeqytetin shqiptar dhe në bulevardin e tij të shohësh portrete komunistësh, me të cilët partia në pushtet e ka “stolisur” Tiranën për festat e nëntorit! Siç tash janë varur portretet e komunistëve, njësoj 74 vjet më parë dhe në vitet që pasuan për gjysmë shekulli, ishin po këta komunistë që gjithandej Shqipërisë terrorizonin shqiptarë që kishin shkollë, vizion e dije proevropiane. Egoja e këtyre komunistëve që “stolisin” Tiranën, ishte aq e sëmurë dhe kënaqej vetëm atëherë kur zhdukte edhe trupat e tyre pa nam e nishan. Çdo shqiptar që nuk ishte me Moskën, Beogradin e Pekinin, vetëm ky fat i priste.


Rivaliteti i mendësisë së errët komuniste, e cila deri dje sundonte Shqipërinë përmes armëve dhe Sigurimit të Shtetit, ndërsa sot me banda kriminale e drogë, të kujton vizitën historike të Papa Françeskut, i cili pesë vjet më parë, më 21 shtator të vitit 2014, zgjodhi Shqipërinë për të vizituar si vendin e parë në Evropë, më saktë si vendin më të gjymtuar në kampin komunist. Vizita e Papa Françeskut, më shumë se për gjithçka tjetër, ndodhi për të vizituar atdheun e 41 martirëve të Klerit katolik shqiptar dhe të qindra intelektualëve tjerë që i përkisnin kampit demokrat dhe frymës proevropiane. Nuk do t’i harrojmë kurrë portretet e 41 martirëve shqiptarë, të cilët ishin varur në të njëjtit drunj, ku pesë vjet më vonë u varën portretet e ekzekutorëve të tyre!

Në gjithë këtë anarki poshtëruese në të cilën është katandisur Shqipëria, secili qytetar i saj dhe secili shqiptar që jeton jashtë kufijve administrativ, me të drejtë shtron pyetjen: Ku janë ish të burgosurit politikë dhe familjet e tyre, që gjithë jetën e shkuan në rreth tridhjetë kampe internimi dhe dyzet burgje në Shqipëri? Ku është e djathta shqiptare, pse heshtë dhe në cilën skutë është katandisur ajo dhe krejt në fund, ku është shoqëria civile, apo është blerë e stërblerë njësoj si simotra e saj në Kosovë?!

Vendimi i fundit i Këshillit Evropian për shtyrje të negociatave për Shqipërinë, është leksioni më i mirë për të ardhmen e saj. Ky fat e pret edhe Kosovën, derisa në këto dy shtete me të njëjtën kulturë e mendësi politike sundojnë korrupsioni e krimi i organizuar, derisa kursi i mendësisë komuniste nuk zëvendësohet me frymë demokratike dhe derisa të ardhmen e dy shteteve nuk e drejton elita intelektuale, por eminenca gri e të gjitha ish-diktaturave.

Plot tre dekada mbas rënies së Murit të Berlinit dhe për shkak të qeverisjeve kriminale që ndodhën gjatë këtyre tre dekadave, shqiptarëve si asnjëherë më parë u është ngjallur nostalgjia për dy diktatorët më naks në Gadishullin e Madh; stalinistin Enver Hoxha dhe trockistin Josip Broz Tito!

Megjithëse edhe Kosova është katandisur në të njëjtin llum, pasi ndjek me besnikëri shkollën politike të Tiranës, gjendja në aspektin ideologjik është paksa më ndryshe. Ndodh kështu, falë monitorimit të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetësia e së cilës fundja është produkt i saj. Nderimi që u bëhet komunistëve në Shqipëri, nuk u bëhet atyre në Kosovë. Ëndrra për të ndodhur diçka e këtillë ekziston, por që me lehtësi mund të shndërrohet në makth. Nuk ndodh edhe për një fakt tjetër. Kosova në vitin 1945 nuk kishte më shumë se rreth 300 komunistë me tesere, shumica nga të cilët ishin të nacionalitetit serb e malazez, derisa gjendja në Shqipëri ishte ndryshe. Kur u mbajt Kongresi i Parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë në nëntor të vitit 1948, udhëheqja komuniste mburrej se Shqipëria kishte 30.287 komunistë me tesere dhe 18.432 kandidatë partie. Armata e komunistëve shqiptarë, zhbëri gjithçka që ishte shqiptare dhe kishte rrëzëllim evropian.

Ditën kur ra Muri i Berlinit, në Tiranë punët shkonin vaj gjithmonë “sipas mësimeve të shokut Enver”, derisa në Prishtinë gjërat nisën të lëvizin me shpejtësi marramendëse. Megjithëse nën shtetrrethim policor e ushtarak të tiranit serb Sllobodan Millosheviq, dyzetekatër ditë mbas rënies së Murit të Berlinit, në Prishtinë u themelua partia e parë pluraliste; Lidhja Demokratike e Kosovës dhe shefi i saj dr. Ibrahim Rugova së bashku me intelektualët tjerë, nisi disejnimin e shtetit të ardhshëm me program e besim të palëkundur drejtë familjes evropiane dhe vlerave demokratike.

Për ironinë e kohës dhe për dallim nga vlimet që ndodhnin në Prishtinë, Tirana zyrtare jo vetëm nuk tundej nga pozicionet e saj, por ishte më e vendosur se kurrë për të mbrojtur regjimin komunist, edhe pse kishte perënduar bashkë me Murin e Berlinit.

Një vit më vonë, më saktë në maj të vitit 1990, shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Javier Peres de Cuelar vizitoi Shqipërinë. As shembja e Murit të Berlinit, as rënia e regjimeve komuniste në Evropën Qendrore e Lindore nuk e lëkundnin regjimin komunist në Tiranë! Shefi i OKB-së në takimin e tij me shefin e Shqipërisë komuniste, Ramiz Alia, kërkoi hapje të menjëhershme ekonomike të Shqipërisë me Perëndimin për të shmangur katastrofën humanitare, e cila kërcënonte Shqipërinë. Kërkoi edhe orientim të plotë politik e diplomatik të Shqipërisë me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Krejt në fund, de Cuelar kërkoi me ngulm që në Shqipëri të mos ndodhte Rumania e dytë në Ballkan. Shefi i Shqipërisë komuniste, Ramiz Alia jo veç nuk u tund, por rreth njëzet minuta i mbajti leksione shefit të OKB-së, për t’i mbrojtur siç thoshte ai “idealet e Shqipërisë socialiste!”.

Shqiptarët janë aq tragjik e kontrovers në bindjet e tyre, sa nuk e kapë dot imagjinata njerëzore! Pikërisht sot tridhjetë vjet, kur mijëra gjermanë mësynë drejtë Murit të Berlinit, tre kosovarë, anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, të frymëzuar nga Shqipëria staliniste, në Berlin jepnin intervistë për një televizion gjerman. Kundërshtonin rënien e Murit të Berlinit dhe betoheshin se do ta mbronin komunizmin deri në vdekje! Kur gazetari gjerman ua kujtoi kufirin Kosovë-Shqipëri, i cili ishte i rrethuar me tela gjemborë njësoj si Muri i Berlinit, tre kosovarët prapë insistonin në mbrojtje të “idealeve” të tyre!

Tre dekada më vonë, dy nga marksist-leninistët kosovarë, të cilët më 9 nëntor të vitit 1989 mbronin komunizmin dhe kundërshtonin rënien e Murit të Berlinit ende jetojnë në luksin e Gjermanisë, derisa i treti është shpallur Hero i Kosovës!

Në trend

Më shumë
Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Azia
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Liga e Kampionëve
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Kalo në kategori