LAJMI I FUNDIT:

Transaksionet e hapura të Thesarit dhe parimet e të dhënave të hapura

Transaksionet e hapura të Thesarit dhe parimet e të dhënave të hapura
Ilustrim

Buxheti i Republikës së Kosovës, për vitin 2020 ishte afro 2.6 miliardë euro. Këto para të taksapaguesve u shpenzuan për të paguar shërbimet si: arsimi, infrastruktura dhe kujdesi shëndetësor. Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të dinë detajet se si mblidhen dhe si shpenzohen fondet e tyre qeveritare. Nga kjo shumë, kur të hiqen rreth 650 milionë euro për paga dhe mëditje, pjesa tjetër shpenzohet nga kategoritë mallra dhe shërbime, investime kapitale dhe subvencione dhe transfere.

Edhe pse Ministria e Financave publikon të dhëna në Portalin e Transparencës (ptmf.rks-gov.net), ato nuk janë të publikuar sipas formatit të hapur, apo siç quhet termi Open Data. Hapja e të dhënave të thesarit, sipas parimeve të të dhënave të hapura, në veçanti të dhënave për shpenzimet, siguron mundësi për një llogaridhënie më të lartë dhe monitorim apo mbikëqyrje më të mirë nga qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile. Hapja e buxhetit dhe ciklit fiskal përmes transparencës dhe mbikëqyrjes, do të mundësonte rritjen e llogaridhënies, e në të njëjtën kohë do të hapte mundësi për rritjen e angazhimit të qytetarëve.


Indeksi Global i të Dhënave të Hapura (GODI) e cila cilësohet si pikë referimi për rangimin e vendeve për publikimin e të dhënave të hapura, Kosovën e ka ranguar në vendin e 58-të kundrejt vendeve tjera në këtë indeks me një vlerësim prej vetëm 26 për qind. Në fushën e shpenzimeve qeveritare, Kosova nuk ka marrë asnjë pikë pasi edhe ato të dhëna që janë publikuar në Portalin e Transparencës, nuk janë të hapura pasi nuk janë në një format të lexueshëm nga kompjuteri, nuk janë me licencë të hapur.

Hapja e të dhënave nuk është gjithmonë proces i lehtë dhe publikimi i të dhënave të papërpunuara thjesht është i pamjaftueshëm. Gabimi më i rëndomtë që e bëjnë shumë institucione dhe organizata qeveritare gjatë hapjes së të dhënave është se ato më shumë përqendrohen në sasinë sesa në cilësinë e të dhënave që publikojnë. Shpesh, të dhënat publikohen në formate të pasakta me metadata të rëndësishme që mungojnë dhe pasi të publikohen, ato nuk mirëmbahen dhe nuk përditësohen. Kur ka të dhëna në sasi të mëdha dhe kur janë në formate të pastrukturuara, përderisa arrihet transparenca në kuptimin e ngushtë të fjalës, ajo më shumë shkakton probleme gjatë hulumtimit.

Ligji për Qasje në Dokumente Publike thotë që institucionet duhet që në mënyrë proaktive të hapin të dhënat dhe me iniciativë të tyre. Sipas këtij ligji, hapja e të dhënave duhet të bëhet në formate të lexueshme nga njerëzit dhe pajisjet teknologjike. Një nga institucionet e vetme në Kosovë që ka filluar të hapë të dhënat në një format të standardizuar është Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP). Ky institucion ka ndërtuar një API (Application Programming Interface) i cili përdor Standardin e të Dhënave të Hapura të Kontraktimit (OCDS). Ky është një standard i të dhënave të hapura jo të regjistruara për të drejtat pronësore për kontraktimin publik, që zbatohet nga mbi 30 qeveri në gjithë botën. OCDS përshkruan se si duhet të publikohen të dhënat dhe dokumentet në të gjitha fazat e kontraktimit. Më thjesht, KRPP ka hapur të gjithë sistemin e e-Prokurimit përmes një formati standard që përdoren gjerësisht në vende të tjera. Të gjitha të dhënat mund të shfrytëzohen nga palët e treta me një licencë të hapur e cila mundëson përpunimin e të dhënave. Të gjitha të dhënat për të gjithë kontratat që nënshkruhen përmes prokurimit publik mund të shfaqen përmes këtij sistemi. KRPP me këtë veprim është shembull që duhet ta ndjekin të gjitha institucionet tjera.

Prandaj, Ministria e Financave duhet që Portalin e Transparencës ta rindërtojë duke përdorur një standard të të dhënave të hapura e njëkohësisht të shtojë funksionalitetin e këtij portali, duke publikuar transaksionet që bëhen përmes Thesarit, në kohë reale. Ministria mund të përdorë si shembull KRPP-në për ta bërë këtë. Vetëm me të dhëna të hapura që plotësojnë disa standarde bëhet më e lehtë kërkimi i transparencës dhe llogaridhënies ndaj institucioneve publike. /Demokraci Plus/Telegrafi/