LAJMI I FUNDIT:

Themelohet Këshilli i biznesit amerikano-serb

Themelohet Këshilli i biznesit amerikano-serb

Në kohën kur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë në pikën më të nxehtë pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq ka bërë të ditur se kanë themeluar Këshillin e biznesit amerikano-serb, gjersa tha se kjo shënon fillimin e një kapitulli të ri në partneritetin ekonomik midis dy vendeve.

Kjo marrëveshje është nënshkruar në praninë e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill.


Gjuriq në një postim në Twitter shkruan se kjo mishëron angazhimin e tyre të përbashkët për të nxitur lidhje më të forta, për të promovuar tregtinë dhe investime si dhe për të përmirësuar mirëkuptimin e ndërsjellë.

“Themelimi i sotëm i Këshillit të Biznesit amerikan-serb shënon fillimin e një kapitulli të ri në partneritetin ekonomik midis dy kombeve tona të mëdha.

Ai mishëron angazhimin tonë të përbashkët për të nxitur lidhje më të forta, për të promovuar tregtinë dhe investime dhe për të përmirësuar mirëkuptimin e ndërsjellë.

ASBC do të shërbejë si një platformë për bashkëpunim, dialog dhe inovacion, duke hapur mundësi për bizneset nga të dyja palët që të lulëzojnë.

Duke nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për rritjen e bashkëpunimit dypalësh ekonomik dhe biznesor, ne ramë dakord të promovojmë së bashku një kuptim më të madh të praktikave dhe mundësive të biznesit dhe ekonomike në dispozicion të audiencës në Serbi dhe Shtetet e Bashkuara”, shkruan Gjuriq. /Telegrafi/