LAJMI I FUNDIT:

Thaçi pas dështimit për anëtarësim në INTERPOL: Sot nuk ka fitues, humbës janë Kosova dhe Serbia (Video)

Thaçi pas dështimit për anëtarësim në INTERPOL: Sot nuk ka fitues, humbës janë Kosova dhe Serbia (Video)

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pas dështimit për anëtarësim në INTERPOL tha se sot nuk ka fitues.

Thaçi në një deklaratë për gazetarë në Dubai, atje ku zhvilloi punimet Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it tha se humbës në këtë proces është Kosova dhe Serbia, ndërsa fitues sipas tij është vetëm krimi i organizuar dhe njerëzit që e përkrahin atë.


“Kjo dëshmon gjendjen reale në të cilën gjendemi ne dy shtetet e rajonit duke ballafaquar dhe penguar në proceset integruese. Jemi ku jemi, në një rrethanë që tregon reflektim, një presion nga Serbia..I falënderoj shtetet mbështetëse. Rrugëtimi i sotëm shtron nevojën më të madhe të spektrit politik, sot s’ka fitues. Jemi humbës edhe Kosovë edhe Serbia, fitues është vetëm krimi i organizuar dhe njerëzit me elementë që mbështesin terrorizmin”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i vendit po ashtu tha se Kosova ka shprehur dëshirën të jetë pjesë e kontributit të paqes dhe stabilitetit.

“Interpoli është mekanizëm i rendit dhe ligjit. Kosova ka dëshiruar të jetë pjesë e kontributit të paqes dhe stabilitetit dhe luftës globale kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit, luftës kibernetike etj. Dhe kjo iu mohua padrejtësisht Kosovës”, theksoi tutje Thaçi.

Ai gjithashtu tha se rrugëtimi i së ardhmes duhet të jetë normalizimi  i plotë i raporteve me Kosovën dhe Serbinë, marrëveshje e përhershme.

“Definitivisht në vend që Kosova dhe Serbia të pengojnë njëra-tjetrën, në vend që të bëhemi pengues për njëra-tjetrën në rrugëtimin tonë euro-atlantik, duhet të arrijmë marrëveshjen përfundimtare, njëherë e përgjithmonë të normalizimit, që nënkupton lëvizje të shpejtë evropiane për të dyja vendet, përndryshe do të paguajmë çmim të dyja vendet”, tha presidenti Thaçi, raporton Telegrafi.

I pyetur se ku dështoi procesi për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL ai tha: “Nuk i besoj fort lobimeve çfarë mendojnë njerëzit se duhet të ketë. I besoj vendosmërisë dhe shteteve që i kanë besuar Kosovës. Kosova nuk ka pasur shumë nevojë për lobim. Kosova i plotësuar të gjitha kriteret dhe standardet”, u shpreh ai.

E sa i përket procesit për liberalizimin e vizave, ai tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.

“Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret edhe për liberalizim te vizave. Në procesin e liberalizimit të vizave duhet të vihet në agjendë Kosova. Askush mos të mendoj që Serbia nuk do të na pengoj, kur kanë kryer edhe gjenocid në Kosovë”, potencoi Thaçi.

Ndryshe, votimi në raundin e dytë në Asamblenë së Përgjithshme të INTERPOL-it për Kosovën ishte 68 pro, 51 kundër dhe 16 abstenime. Këto vota nuk ishin të mjaftueshme që Kosova të jetë pjesë e kësaj organizate për bashkëpunim policor. /Telegrafi/